Mosfillimi i hetimeve ndaj Policisë bashkiake, reagon gazetarja: Dhuna po legjitimohet
Gazetarja Sonila Musai ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social Facebook në lidhje me mos-fillimin e hetimeve ndaj Policisë Bashkiake dhe punonjësve të IMT-së që e penguan atë në ushtrimin e detyrës teksa ajo ishte në raportim.
Postimi i plotë:
Prokuroria e Tiranës paska vendosur mbylljen e çështjes sime, pas denoncimit për dhunën nga ana e policëve Bashkiakë! Nuk është çështja tek Sonila, tek unë, çështja është më e thellë, është tek dhuna e punonjësve të Policisë ndaj një gazetari, kushdoqoftë ai.
Mosnisja e kallëzimit penal ndaj uniformave që dhunojnë një Gazetar është urdhër për të dhunuar gazetarët, e dorë e lirë për t’i tërhequr zvarrë ata të cilët duan të raportojnë të qetë, pa u ndikuar nga askush e mbi të gjitha pa u dhunuar.
Gazetaria në Shqipëri po përballet me probleme reale, që të gjithë i dimë, por dhuna e institucioneve ndaj gazetarëve nuk mund dhe nuk duhet të amnistohet nga askush, aq më pak nga Institucionet e Drejtësisë.
Dhuna nuk mund të kthehet në sistem, sepse nuk është në pyetje më Sonila, është në pyetje gazetaria dhe fjala e lirë, e kur fjala e lirë mbytet bashkë me të mbytet edhe shpresa se e nesërmja do të jetë më e mirë!
