Të shkojmë të bashkuar në garën për bashkitë, Balliu: Protestat do të bëjnë histori në Shqipëri
Maxhoranca prej ditësh ka hedhur hapat e parë të fushatës elektorale ndërkohë Partia Demokratike ende nuk i ka zgjidhur problemet e brendshme. Negociatat mes grupeve të Berishës dhe Alibeajt vazhdojnë ende pa rezultat ndërkohë që ende nuk ka një vendim përfundimtar për primaret e madje, as një datë për nisjen e protestave kundër qeverisë.
Demokratët kërkojnë përshpejtimin e negociatave mes grupit të Berishës dhe atij të Alibeajt. Pas takimit të parë mes Edi Palokës dhe Gazmend Bardhit palët mësohet se kanë qëndruar në kontakt përmes telefonatave, por ende pa rezultat konkret. Shefi i organizimit të PD-së, Klevis Balliu thekson se çdo vonesë në këtë proces, është në dëm të demokratëve.
Klevis Balliu: Çdo ditë që humbi kohë me hatërmbetjet personale është një goditje që ju bëjmë qytetarëve. Nëse thua se Rama është rrezik kombëtar nuk duhet të mbetesh pre e hatërmbetjeve të së kaluarës të partisë tënde.
Paralelisht me tentativat për të kapërcyer konfliktet e vjetra që çuan në ndarjen e ashpër të demokratëve mes vetes, kanë vijuar takimet në të gjitha nivelet për zhvillimin e primareve dhe organizimin e protestave. Para datës 4 dhjetor si afat përfundimtar kur Partia Demokratike ka premtuar daljen e kandidatëve për garën e bashkive, procesi do të përqendrohet në tri qarqet kryesore duke i parë rezultatin e tyre influencues për bashkitë e tjera.
Njëkohësisht Balliu shprehet se përballja e parë me kryeministrin nëpërmjet protestave qytetare është parësore.
Klevis Balliu: Ai ta provojë të inskenojë apo ti provokojë demokratët të gjithëve ne bashkë dhe do të marrë një përgjigje të merituar. Unë mund të them që protestat që do të fillojnë do të jenë protesta që do të bëjnë histori në Shqipëri dhe do të mbahen mend për një kohë të gjatë.
Partia Demokratike duket se nuk i ka zgjidhur ende problemet e brendshme ndërkohë që maxhoranca ka hedhur hapat e parë të përgatitjes për fushatën që po afron.
