Erzeni “mace e zezë” për kryesuesit, mund edhe Tiranën në Elbasan
Zhgënjim bardheblu në Elbasan aty ku Erzeni pasi i bëri surprizën e hidhur Partizanit, bën surprizën edhe ndaj skuadrës tjetër kryeqytetase. Debutuesit nga Shijaku janë skuadra e vetme që ka triumfuar ndaj dy ekipeve kryeqytetase nga Tirana dhe për më tepër në transfertë e me rezultat identik 1-0.
Xhevahir Kapllani dhe djemtë e tij shkelmojnë ecurinë negative të tre javëve të fundit duke mposhtur bardheblutë në një ndeshje shumë të luftuar në “Elbasan Arena” ku Tirana pritëse bëri gjithçka keq edhe pas një 11-metërshi që në pjesën e parë i dhuroi mundësinë e artë Erzenit ku Kahrimanoviç e stampoi topin në të djathtën e Bekajt.
Gjatë 45 minutave të dyta Tirana tentoi me çdo mënyrë të mundshme ta barazonte rezultatin por Xhixha dhe Hasani në një ditë “jo” nuk arritën të bënin asgjë për të zgjidhur një ndeshje që për Tiranën dukej e “mallkuar”. Humbja e dytë në sezon për Tiranën që tashmë duhet të ndajë vendin e dytë pikërisht me Erzenin me nga 15 pikë, 4 diferencë nga Partizani kryesues.
