"Ekip iranian pas sulmeve në Ukrainë?", Shtëpia e Bardhë: Janë të angazhuar drejtpërdrejtë në terren
Sipas inteligjencës amerikane, iranianët jo vetëm që kanë shitur drone te rusët, por kanë dërguar edhe ekspertë për përdorimin e tyre në terren, në Krime. Irani dhe rusët i kanë mohuar këto akuza.
Dronet iranianë që goditën qyete të shumta ukrainase në ditët e kaluara duke shkaktuar dëme të shumta në infrastrukturë dhe terror te civilët, kanë sjellë reagim të fortë euroatlantik ndaj Iranit.
Ndërsa Bashkimi Evropian vendosi sanksione të mëtjeshme ndaj Iranit, amerikanët thonë se trupat iraniane janë "të angazhuar drejtpërdrejt në terren" në Krime duke mbështetur sulmet me dronë rusë në termocentralet e Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kyçe.
Shtëpia e Bardhë thotë se ka prova për thellimin e rolit të Teheranit për të ndihmuar Rusinë në këtë luftë. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby u tha gazetarëve se Irani ka dërguar një "numër relativisht të vogël" personeli në Krime për të ndihmuar trupat ruse në lëshimin e dronëve të prodhuar nga Irani.
Britanikët po ashtu kanë thënë se anëtarët e një dege të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane u dërguan për të ndihmuar forcat ruse në përdorimin e dronëve.
Amerikanët thanë që në verë se Rusia po blinte mjete ajrore iraniane pa pilot për t’i përdorur kundër Ukrainës, ndërsa Irani ka mohuar se i ka shitur municionet e tij Rusisë.
