Kolumbia ka rritur me 43% prodhimin e kokainës

Kolumbia ka rritur kultivimin e bimës “koka” - përbërësi kryesor i kokainës - me 43%, thotë një raport i ri i Kombeve të Bashkuara (OKB).

Vitin e kaluar zona e kultivimit të bimës u zgjerua në 204,000 hektarë. Kolumbia është tashmë prodhuesi më i madh i kokainës në botë.

Kjo është shifra më e lartë që kur Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) filloi të mbledhë të dhëna të tilla në 2001.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro e ka quajtur luftën kundër drogës një dështim.

Korrespondentja e BBC në Amerikën e Jugut, Katy Watson, raporton se “në vend të kësaj, lideri i sapozgjedhur i krahut të majtë dëshiron të rregullojë industrinë dhe të zgjerojë programet për të zëvendësuar kulturat e paligjshme”.

Shumica e kokainës së Kolumbisë shkon drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, e cila është konsumatori më i madh në botë i drogës ilegale.

Raporti i OKB-së thotë se kultivimi më i madh i kokas zhvillohet në departamentin e Santanderit të Veriut, në veri-lindje të Kolumbisë dhe dy departamente në jug-perëndim, në kufirin e Ekuadorit - Nariño dhe Putumayo.

Në raport, thuhet se të korrat po lulëzojnë veçanërisht në zonat pranë kufijve kombëtarë ose me qasje të lehtë në det. Në ato rajone, bandat e armatosura të paligjshme, trafikantët e drogës dhe prodhuesit punojnë së bashku.

Bandat e dhunshme të drogës arrijnë të rekrutojnë qindra fëmijë.

Spërkatjet ajrore për të hequr qafe të korrat, u pezulluan në vitin 2015, pasi gjykata vendosi se herbicidi i përdorur – “glyphosate” - mund të shkaktojë kancer dhe të ndikojë në ndotjen e tokës.