Berisha paralajmëron Ramën: Nuk jemi pas protestave të pedagogëve, opozita do të mbushë rrugë dhe sheshe
Teksa shprehu mbështetjen e Partisë Demokratike për protestën e pedagogëve, Sali Berisha, ja bëri të qartë kryeministrit se nuk është protesta e opozitës.
"Ajo nuk është protesta jonë, protesta tona do ti shohë Edi Rama".
Në takimin me kryetarët e degëve të PD në Tiranë, Berisha tha se " ne përgatitemi për të mbushur rrugë dhe sheshe dhe për tu përballur me këtë qeveri që kalon nga skandali në skandal”.
Berisha foli edhe për rrezikun e kthimit të vizave.
"Jemi në rrezik absolut për rikthimin e vizave. Doli ministria e jashtme bëri përgënjeshtrimin. Ky mendon për trafikantët që do tu japë pasaportën e florinjtë. Për shkak të pasaportës së florinjtë, shqiptarët humbasin liberalizimin e vizave. Ata kanë filluar procedurë për Maltën që e kanë vend anëtar. Pse do të tolerojnë Shqipërinë ata. Ky nuk mendon për qytetarët".
Çmimi i naftës është një tjetër shqetësim për të cilin, siç tha Berisha, opozita duhet të bëhet barrikadë përballë qeverisë.
"Është nafta, oPzita duhet të bllokojë rrugë, porte e aeroporte, ose ky do të ulet çmimin e naftës dhe ky do të përgjysmojë taksen ose këtu nuk mund të shndërrohet nafta në një kamxhik për qytetarët shqiptarë.Nuk mund të pranohet, sepse është bërë nga qeveria. Asnjë qeveri në botë nuk taton naftën 1.2 euro. Asnjë! 1.2 euro e shesin në Uashington naftën, duke marrë taksën dhe akcizën".
Për këto arsye dhe të tjera Berisha tha se PD dhe opozita duhet të përpunojnë format më kreative të protestës.
"Jemi në betejë me një armik të egër të financave të shqiptarëve. Ky duhet të marrë përgjigje nga ne" tha ai.
