"Nuk ka qenë e lehtë situata brenda PD”, Gështenja: Humbja në zgjedhjet vendore do të jetë shenjë ogurzezë

Deputeti i PD Lefter Gështenja thotë se nëse PD humbet zgjedhjet e ardhshme vendore kjo do të jetë një shenjë ogurzezë për zgjedhjet parlamentare si dhe Rama do të vijojë të qeverisë me të njëjtin model.

Gjatë një interviste për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, Gështenja u shpreh se PD është e dënuar që të dalë me një kandidat të vetëm këto zgjedhje.

Sa u përket kundërshtive  brenda PD thotë se kanë qenë ekzistente por përmes të zgjedhurve për bisedime mes palëve duket se po shkohet drejt një dialogu konstruktiv dhe me rezultat.

Lefter Gështenja: Grupi parlamentar i PD për më shumë se 2 muaj ka bërë një punë seriozë për të konkluduar në mandatim të Bardhit për të parë të gjitha hapësirat në mënyrë që e djathta të arrijë qëllimin e vetëm të dalë në zgjedhjet vendore me një kandidat. Nuk ka qenë e lehtë, brenda grupit ka pasur kundërshti, por të hënën e kaluar në mënyrë të unifikuar vendosëm të caktojmë Bardhin për të vijuar negociatat me opozitën në tërësi, veçanërisht brenda PD. Nga pala tjetër Paloka ishte pjesë e negocimit. Dje u njoftuam për takimin konstruktiv me frymën e mirë e bashkëpunuese.

“Në këto zgjedhje e gjithë opozita është e dënuar të dali me një kandidat nëse duam të fitojmë përballë këtij modeli qeverisës. Çdo mundësi tjetër i jep fitoren Ramës në tavolinë.  Nëse humbet opozita në zgjedhjet vendore është një shenjë ogurzezë për zgjedhjet parlamentare dhe Rama do të vijojë të qeverisë me të njëjtin model.”