Berisha kundër Ramës për protestën: Një shofer i FSHZH-së paguhet sa katërfishi i një pedagogu universiteti
Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzoi sërish qeverinë dhe kryeministrin Rama se po mbajnë një qëndrim përçmues ndaj universiteteve dhe pedagogëve.
Në takimin me kryetarët e degëve të PD-së së Tiranës, Berisha tha se një shofer i Fondit Shqiptar të Zhvillimit paguhet 4 herë më shumë sesa një pedagog.
Berisha: Dua tu qartësoj pak për protestën e universiteteve. Protesta e universiteteve është e një rëndësie jetike për kombin. Se ku është gjendja e universiteteve sot unë dua të jap një shembull.
Një shofer në Fondin Shqiptar të Zhvillimit merr një rrogë 4 herë më të madhe se sa një lektor në universitetet tona. A ka qëndrim më përçmues ndaj elitës së kombit se sa ky.
Çdo pedagogu universiteti i leverdis të jetë shofer i cili merr fiks katërfishin e pedagogut. Mora këtë aspekt. Janë pedagogë të Universitetit të Prishtinës, marrin dyfishin me ata të Universitetit të Tiranës.
Gjendja e kërkimit shkencor është e paimagjinueshme. Ka qenë më mirë në diktaturën e Enver Hoxhës. Jam dëshmitar vetë. Në diktaturë bëja projekt për një kërkim shkencor. Projektin tim e miratonte vetëm zv.dekani.
Kishte shpenzime. Nuk e miratonte as rektori dhe as ministri. Ky ndaloi për 8 vite doktoraturat. Sot çdo pedagog për të publikuar një artikull duhet të paguajë. Në diktaturë na pagonin për çdo artikull që bënim.
Sot pedagogu detyrohet të paguajë për artikullin që publikon. Këto janë qëndrime shkatërrimtare për universitetin. Universiteti është një pasuri kombëtare që duhet të mbrohet.
Berisha dënoi edhe kërcënimet që sipas tij Rama po u bën pedagogëve dhe studentëve.
Berisha: Ne dënojmë me forcën më të madhe kërcënimet e papranueshme të Edi Ramës ndaj pedagogëve, ndaj studentëve. Dënojmë me forcën më të madhe kërcënimin që i bën kreut të sindikatave që i thotë se ka qenë punonjës i SHIK, ndërkohë që ai është larguar në 2015 dhe është vlerësuar nga qeveria e Edi Ramës, sepse ka qenë punonjës i ndershëm. Një njeri që ka tre herë më shumë mend se ai. Ajo nuk është protesta jonë, protesta tona do ti shohë Edi Rama.

