Zgjedhjet vendore, Spaho: Të vendosur për të dalë me një kandidat, primaret mekanizmi më demokratik
Grupi i deputetëve demokratë, mbështetës të Berishës, thonë se janë të vendosur për të shkuar drejt bashkimit me palën tjetër për zgjedhjet vendore.
Angazhimi u shpreh nga deputeti Edmond Spaho, anëtar i Kryesisë së PD, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj.
Spaho: Mundësitë janë të mëdha pasi dy palët në fund të fundit jemi pjesë e një partie, kemi sakrifikuar dhe investuar në këtë parti dhe objektivi është ta sjellim në pushtet. Nga pjesa që përfaqësoj serioziteti është i madh, prej kohësh kjo kërkesë është parashtruar ndaj krahut tjetër që të ulemi dhe të gjejmë një të mesme që ti kënaqë të dy palët dhe në zgjedhjet e ardhshme vendore të hyjmë me një kandidat të përbashkët. Nuk do ishte e udhës të dalim me dy kandidatë si në zgjedhjet e 6 marsit.Ne do bëjmë të gjitha përpjekjet që të mund të gjejmë një konsensus.
Debatin rreth legjimitetit të Berishës si kryetar i PD dhe ankimin në gjykatë nga pala tjetër i sheh si çështje të ezauruara që nuk duhet të ndikojnë në bisedimet mes palëve.
Spaho: Janë dy çështje që janë ezauruar. Berisha është votuar nga 40 e ca mijë anëtarë të PD, të dy krahët e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo. Është e pakuptimtë të vihet në pikëpyetje legjitimiteti i zotit Berisha. Sa i takon ankimimit në gjykatë është një veprim jo i arsyeshëm që po shfrytëzohet nga mazhoranca. Po të kishte një qëndrim neutral kjo punë do kishte mbaruar. Mesa duket janë nën influencën e mazhorancës dhe kryeministrit Rama, të cilit i intereson ta mbajë këtë gjendje që është në PD dhe ta shfrytëzojë për objektivat e tij politikë.
Pranon rrezikun e primareve por thotë se nuk njeh mekanizëm më demokratik për përzgjedhjen e kandidatëve.
Spaho: Ka një mekanizëm shumë demokratik, formula e primareve. Do të jetë përfaqësuesi ynë ai që do të grumbullojë vota më shumë. Më demokratike se kaq nuk mund të gjejmë një mekanizëm.
Shqetësimi i vetëm i vetëm i Spahos është përshpejtimi i procesit.
Spaho: Ky proces ka nevojë të përshpejtohet. Qëllimi i takimit sot me Berishën ky ishte.Do bëjmë gjitha përpjekjet këto ditë të përshpejtojmë procesin.Themelore është të zhvillohet një garë e ndershme, trasnparente, e hapur, pa shkelje. Nëse plotësohen këto kushte nuk ka arsye të mos pranohet rezultati.
Sa i takon protestave, ai thotë se diskutimet vijojnë pasi një protestë e gjatë dhe e qëndrueshme kërkon një përgatitje të mirë, vendosmëri e sakrifica.
Spaho: Po diskutojmë gjerësisht për këtë çështje, ka një frymë revolte dhe pritshmërie të lartë nga qytetarët. Kemi mbështetur protestën e pedagogëve dhe u kemi bërë thirrje dhe studentëve tu bashkohen.Gjendja e vendit është në pikën e tillë që po arrin vlimin dhe do të ketë shpërthim. Sidoqoftë ka nevojë edhe për përgatitje serioze sepse një protestë e gjatë kërkon shumë më tepër përgatitje se protesta një ditore, do sakrifica dhe vendosmëri për të qëndruar.
