Gjermania merr në dorë situatën: Deri më 15 prill, tre centrale bërthamore do të qëndrojnë në funksion

Tre termocentralet bërthamore të Gjermanisë do të qëndrojnë në funksion deri në mes të prillit, sipas vendimit të kancelarit Olaf Scholz, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje ndërqeveritare për këtë çështje.

Sipas një letre të kancelarit drejtuar ministrave përkatës, kuadri ligjor duhet të vendoset menjëherë që termocentralet bërthamore Isar 2, Neckarvestheim 2 dhe Emsland të mbeten në funksion pas datës 31 dhjetor dhe maksimumi deri më 15 prill.

Tre termocentralet e mbetura bërthamore të Gjermanisë do të çmontoheshin përgjithmonë në fund të këtij viti, sipas qeverive të mëparshme.

Gjatë javëve të fundit fati i stacioneve ishte kthyer në një debat mes Liberalëve (FDP), të cilët kërkuan që ato të qëndronin në funksion deri në vitin 2024 dhe ndoshta rihapjen e stacioneve tashmë të mbyllura, dhe të Gjelbërve, të cilët pas shumë presioneve pranuan që dy stacionet të mbeten në rezervë deri në prill dhe shfrytëzimin e tyre vetëm nëse lind nevoja reale.

Në fakt, konferenca e të Gjelbërve dje në Bon nxori edhe një rezolutë lidhur me këtë.

Olaf Solz ka tentuar vazhdimisht të arrijë një marrëveshje me dy partnerët e tij, megjithatë ushtrimi i së drejtës së tij absolute në mbrëmje interpretohet si dështim i përpjekjes për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Udhëheqësi i FDP-së dhe ministri i Financave, Christian Lindner, shprehu kënaqësinë e tij për vendimin e Scholz.

“Është në interesin jetik të vendit të ruajë të gjitha kapacitetet e prodhimit të energjisë këtë dimër. Kancelari tani e ka bërë të qartë”, shkroi ai në Twitter dhe premtoi zgjidhje të qëndrueshme për dimrin 2023-2024.

Nga të Gjelbrit, Ministrja e Mjedisit Steffi Lemke shkroi: “Tani ka qartësi. Ndalimi bërthamor mbetet. Gjermania do të heqë përfundimisht energjinë bërthamore më 15 prill 2023”.