Shpërthimi i avionit, 4 të vdekur dhe 6 të zhdukur në Rusi, dhjetëra apartamente të dëmtuara

Katër persona u vranë kur një avion ushtarak rus u përplas në një ndërtesë apartamentesh në qytetin Yeisk, në jug të Rusisë, sipas agjencisë së lajmeve Interfax duke cituar autoritetet lokale. Gjashtë persona të tjerë janë të zhdukur.

Videot e postuara në rrjetet sociale tregojnë flakët gjigante që dalin nga një ndërtesë shumëkatëshe.

Agjencia e lajmeve RIA raportoi se avioni ishte një Sukhoi -34 që u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor.

 TASS raportoi se avioni u rrëzua pasi një zjarr shpërtheu në një nga motorët e tij.

Zjarri i shkaktuar nga rrëzimi i avionit u përhap në një sipërfaqe prej rreth 2000 metrash katrorë, sipas shërbimit rus të emergjencës.

"Komiteti hetimor i vendit ka nisur një hetim penal për rrëzimin e avionit ushtarak. Hetuesit po zbardhin rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Agjencitë ruse të lajmeve thanë se pilotët aktivizuan sistemin automatik të lëshimit, duke shtuar se zyrtarët po përpiqeshin të gjenin informacione për viktimat në terren.

Interfax, duke cituar shërbimin lokal të urgjencës, tha se pesë kate të ndërtesës së lartë u përfshinë nga flakët, katet e sipërme u shembën dhe rreth 45 apartamente u dëmtuan.

Guvernatori i rajonit të Krasnodarit të Rusisë tha nga ana e tij se "të gjitha njësitë e zjarrfikësve dhe shpëtimit në rajon janë vendosur për të shuar zjarrin".

Qyteti i Yeisk ndodhet në Detin Azov, pikërisht përballë qytetit ukrainas të Mariupolit, i cili u shkatërrua nga granatimet dhe një rrethim i gjatë në muajt e parë të ofensivës ruse.