Norvegji, 6 rusë të arrestuar, u kapën duke filmuar me dronë dhe kamera objekte ushtarake
Policia norvegjeze tha sot se ka arrestuar katër rusë javën e kaluar me dyshimin se fotografonin instalimet ushtarake, disa ditë përpara se të arrestonin dy rusë të tjerë nën dyshimin për posedim të dronëve.
Sipas rrjetit televiziv norvegjez NRK, tre burrat dhe një grua po fotografonin në zonën e Nurlanit dhe më pas u arrestuan në qytetin Musiogen, ku policia ndaloi makinën e tyre.
Ata u arrestuan më 11 tetor dhe më 14 tetor gjykata vendosi një javë paraburgim.
Të arrestuarit pretendojnë se janë turistë dhe nuk e kanë ditur se është e ndaluar të fotografohen objektet që kanë fotografuar.
Policia norvegjeze nuk ka bërë të ditur emrat e tyre dhe nuk ka specifikuar se për çfarë objektesh bëhet fjalë.
Deklarata e lëshuar sot nga policia e qarkut Nordland i referohet arrestimit të tre burrave dhe një gruaje dhe se në makinën e tyre u sekuestruan kamera dhe një material i pasur fotografik, por nuk u gjetën drone.
Policia tha javën e kaluar se të enjten, gjatë një kontrolli doganor në kufi, arrestoi një burrë me nënshtetësi ruse dhe izraelite, i cili kishte dronë në makinën e tij, dhe të premten,
në qytetin arktik të Tromsø një tjetër rus që kishte ngritur një dron dhe kishte kamera.
Në veçanti, rusi me dyshtetësi, Vitaly Rustanovich, u arrestua më 13 tetor gjatë një kontrolli doganor në pikën kufitare Sturskut.
Janë sekuestruar dy kamera dhe një dron.
Rustanoviç pretendoi se ai po vizitonte Norvegjinë për qëllime turistike dhe nuk ishte në dijeni se fluturimi i dronëve ishte i ndaluar.
Policia është duke hetuar rastin ndërsa atij i është caktuar masa e paraburgimit për dy javë.
Një tjetër rus u arrestua më 14 tetor në aeroportin e Tromsø, në posedim të dronit. Në fotot që ka realizuar është edhe një helikopter ushtarak.
Norvegjia ka rritur nivelet e sigurisë javët e fundit pas një sërë fluturiomesh me dron pranë infrastrukturës së saj të naftës dhe gazit dhe pas rrjedhjeve të 26 shtatorit në tubacionet e gazit Nord Stream jashtë Suedisë dhe Danimarkës.
"Ne po shohim pasojat e situatës së re të sigurisë në Norvegji," tha në një konferencë për shtyp Ministrja e Drejtësisë Emily Enger Mehl.
"Ne nuk mund të përjashtojmë raste të tjera."
Pas fillimit të luftës në Ukrainë, Norvegjia ndaloi rusët që vizitonin vendin të përdornin dronët.
Kohët e fundit, dronët janë parë vazhdimisht pranë objekteve energjetike në Norvegji dhe Danimarkë, si dhe rafinerive dhe platformave të nxjerrjes së naftës.
Shkelja e sanksioneve sipas ligjit norvegjez parashikon një dënim me burg deri në 3 vjet.

