Në hapat e Boris Johnson/ Deputetët britanikë kërkojnë dorëheqjen e kryeministres Liz Truss
Me kritika si të atyre që shkarkuan Boris Johnson në muajin korrik, një pjesë e Partisë Konservatore kërkojnë dorëheqjen e pasardhëses së tij, Liz Tras. Deputetët konservatorë e quajnë kryeministren një minuese të ekonomisë pas planit të saj anti-krizë.
Rreth 100 deputetë konservatorë kanë paraqitur letrat për dorëheqjen e kryeministres Liz Truss për minim të situatës ekonomike në vend.
Një treshe konservatorësh kanë dalë publikisht për të kërkuar largimin e saj.
Crispin Blunt ishte i pari që e deklaroi në publik se Truss nuk mund të përballonte krizën aktuale ekonomike.
Ai u ndoq nga Andrew Bridgen, i cili tha se Britania e Madhe meriton më shumë se kryeministrja Truss.
I treti, Jamie Willis u ankua se Truss kishte minuar besueshmërinë ekonomike të vendit duke e kthyer partinë konservatore në një gjë të pariparueshme.
Në më pak se gjashtë javë në detyrë, Truss rrezikon që t’u humbë 219 vende në parlament konservatorëve në zgjedhjet e ardhshme sipas disa sondazheve.
Me 100 letra mosbesimi të dorëzuara në parlament edhe pse jo publikë sipas medieve britanike të kujton periudhën që çoi në largimin e Boris Johnson.
Liz Truss dhe shefi i Thesarit Kwasi Kwarteng njoftuan një plan ekonomik në fund të shtatorit i cili përfshinte ulje taksash me vlerë 50 miliardë dollarë e cila favorizonte personat me shumë të ardhura.
Megjithatë sipas planit nuk tregohej se si qeveria e zonjës Truss do të mbulonte boshllëkun e krijuar.
Si rrjedhojë paundi ra në një nivel të ulët rekord kundrejt dollarit amerikan dhe kostoja e huamarrjes së qeverisë u rrit ndjeshëm.
Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte për të blerë letra me vlerë për të parandaluar krizën financiare.
Banka qendrore paralajmëroi Britaninë se normat e interesit do të duhet të rriten me shpejtësi, për të frenuar inflacionin që po shkon në rreth 10%, duke i përballur miliona pronarë me rritje të mëdha të kredive.