Barazim zhgënjyes në Elbasan, Partizani përplaset me “murin” krutan
Zhgënjen Partizani që pak ditë pas fitores në Shkodër rikthehet në një rezultat që nuk bind dhe për më tepër ndaj një kundërshtari që konsiderohet i kalueshëm në letër. Nuk ka asnjë gol në “Elbasan Arena” mes të kuqve dhe Kastriotit në një ndeshje të luftuar kryesisht në mesfushë nga të dyja skuadrat.
Kryesuesit e kampionatit, tashmë me vetëm një pikë më shumë se Tirana ndjekëse, e rritën ritmin në pjesën e dytë por as Da Silva dhe as Skuka e Hoti nuk mundën të shënjestronin saktësisht portën e krutanëve që ndërtuan një ndeshje të bazuar kryesisht te loja mbrojtëse ndërsa nga stoli edhe pse nuk kanë mbështetjen e trajnerit Çela të dënuar, treguan grintën e duhur, duke vijuar ecurinë e rezultateve pozitive.
Rasti më flagrant u regjistrua në minutën e 46 kur Cara u ndal nga shtylla ndërsa pak çaste më parë edhe Murataj dogji mundësinë për të shënuar golin që mund tëv çlironte këmbët e Partizanit. Barazimi e ngjit kastriotin në kuotën e 10 pikëve në vendin e gjashtë me vetëm një pikë diferencë nga Vllaznia dhe Bylis ndërsa skuadra e Colellas duhet të bëjë llogaritë me Tiranën ndjekëse por tashmë nga shumë pranë.
