Bylis krijon, Tirana përfiton. Hasani nderon kampionët në Mallakastër
Gabon Kaçorri por jo Hasani. Është kjo fjalia që mund të përmbledhë 90 minutëshin Bylis-Tirana ku kampionët me shumë vuajtje fitojnë në një transfertë aspak të lehtë ku edhe mund të kishin dalë pa asnjë pikë.
Në minutën e 81 e gjeti rrugën e rrjetës skuadra e Orges Shehit me një gol marke ku sulmuesi bardheblu bëri një lëvizje klasi dhe finalizoi me një goditje që tregoi se diferencën në fushën e lojës e bëri cilësia por jo volumi i lojës pasi Bylis krijoi më shumë dhe shpërdoroi gjithashtu më shumë.
Kaçorri në minutën e 49 u gjend i vetëm përballë Bekajt por nuk arriti të shënjestronte katërkëndëshin. Fitore që e ngjit ekipin kryeqytetas në kuotën e 15 pikëve dhe regjistron rezultatin e gjashtë pozitiv në 6 ndeshjet e fundit. Në krahun tjetër, Bylis regjistron humbjen e dytë rresht pas disfatës së Kukësit.
