VIDEO/ El Clasico i bardhë, Barcelona dorëzohet përballë mbretërorëve dhe “Topit të Artë” Benzema
Mjaftojnë Karim Benzema, Federico Valverde dhe Rodrygo për t’i shkaktuar humbjen e parë sezonale Barcelonës dhe për t’i dhuruar Realit të Madridit fitoren në El Clasico-n e parë sezonal me rezultatin 3-1.
Zhgënjim i madh për skuadrën katalanase në “Santiago Bernabeu” që e nisi ndeshjen me dy gola të pësuar në 35 minutat e para, çka e vështirësoi më shumë misionin për të besuarit e Xavi-t dhe Lewandowski-n e shokët e tij në fushën e lojës.
Një ndeshje e interpretuar shumë mirë nga skuadra e Carlo Ancelottit, e mbytur nga entuziazmi i tifozëve të saj që e mbështetën në një ndeshje të kontrolluar që nga minuta e parë dhe deri në fund ku gjeti edhe golin e tretë nga pika e bardhë me Rodrygon.
Skuadër që funksionoi në perfeksion Reali i Madridit dhe shkëputet i vetëm në krye me 25 pikë duke lënë pas pikërisht skuadrën “Blaugrana” që regjistroi një tjetër rezultat zhgënjyes në javën më të vështirë të sezonit pas barazimit 3-3 me Interin që e lë praktikisht jashtë Chanpions League.
Goli i Ferran Torres në fundin e ndeshjes ishte shumë pak për të eleiminuar dëmet e një ndeshjeje të nisur shumë keq pasi Barcelona u zgjua vetëm në fundin e ndeshjes duke krijuar panik vetëm në 10 minutat e fundit të ndeshjes.
Në krahun tjetër, Real Madrid duket në rrugën e mbarë për të mbrojtur titullin kampion në La Liga ndërsa në Champions ka siguruar me dy javë avancë fazën e kualifikimit direkt.
