Rëndohet pabarazia ekonomike mes qarqeve dhe Tiranës, ja qytetet që shpenzojnë më pak

Disa nga qarqet e Shqipërisë konsumin mujor në familje e kanë mesatarisht sa Tirana e 7 viteve më parë. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave i cili raporton se Qarku i Kukësit dhe i Dibrës kanë nivel shpenzimesh më të ulët gjatë 2021 sa i përket konsumit.

Mes kryeqytetit dhe qarqeve të tjera diferenca ekonomike sa vjen e rëndohet nga viti në vit.

Referuar të dhënave të INSTAT, konsumi mesatar në rang vendi gjatë 2021, ishte 84 mijë lekë në muaj, ndërsa vetëm Tirana konsumon mbi këtë nivel rreth 99,417 lekë në muaj për familje.

Ndërkaq, në po të njëjta të dhëna thuhet se qarqet që reflektojnë shpenzime mesatare më të larta për konsum, janë Korça me rreth 84 mije lekë, Fieri me rreth 81 mijë lekë.

Duke vijuar me qarqet e tjerë të cilët paraqesin nivel të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum rezulton se qarku i Kukësit ka një konsum me 71.636 dhe ai i Dibrës me 72.048 lekë në muaj për familje.

Në vitin 2014, shpenzimet mujore të një familje në rang kombëtar ishin 69,442 lekë.

Në po atë vit një familje në Tiranë shpenzonte mesatarisht 81,654 lekë në muaj, e dyta vinte Lezha me 78,811 lekë në muaj, e treta Shkodra me 76,509 lekë dhe më pas e vijuar nga Gjirokastra me 74,293 lekë në muaj.

Familjet në qarqet e Gjirokastrës, Shkodrës, Lezhës dhe Tiranës shpenzimet mujore i kishin mbi këtë nivel.

Shtatë vite më parë, Elbasani, Vlora dhe Korça ishin qarqet që paraqisnin nivelet më të ulëta të konsumit.