Putin kërcënon se do të ketë kundërpërgjigje të mëtejshme ndaj 'sulmeve terroriste'
Presidenti Vladimir Putin kryesoi sot një mbledhje të këshillit të tij të sigurisë - një rast i pazakontë, pasi këto takime mbahen zakonisht të premteve.
Në një deklaratë që u transmetua nga kanalet shtetërore të lajmeve, ai akuzoi Ukrainën për bombardimin e tubacionit të gazit Rrjedha Turke - një tubacion gazi natyror që kalon nga Rusia në Turqi përmes Detit të Zi.
Putin tha gjithashtu se Ukraina kishte sulmuar termocentralin bërthamor të Kurskut në Rusinë perëndimore, duke iu kthyer akuzave nga gushti i kaluar, kur shërbimi rus i sigurisë FSB tha se sabotatorët ukrainas kishin hedhur në erë shtyllat e energjisë elektrike në rajonin e Kurskut, rreth 100 km nga kufiri veri-lindor i Ukrainës.
Në atë kohë, FSB tha se sulmet kishin ndikuar në "procesin teknologjik të funksionimit" të centralit bërthamor Kursk.
Në deklaratën e tij, Putin tha gjithashtu se Ukraina qëndron pas sulmeve në termocentralin Zaporizhzhia, të cilat ai tha se përbënin "terrorizëm atomik". Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer shpesh akuza për granatimin e objektit.
Putin shtoi se “nëse vazhdojnë përpjekjet për të kryer sulme terroriste në territorin e Federatës Ruse, përgjigja do të jetë e ashpër dhe proporcionale me nivelin e kërcënimeve”.
