“Duhet parë nëse ka një Lorik akoma në treg”, Cana: Jemi shqiptarë, s’ka asgjë të pamundur
Lorik Cana ishte i pranishëm në emisionin “Ora Sport” në RTV ORA.
I pyetur për faktin se i mungon një si ai ekipit kombëtar, kapiteni legjendar ka bërë batutën se duhet parë nëse dikush me emrin Lorik luan ende futboll.
Ish-futbollisti i Kombëtares kuq e zi ka komentuar dhe shortin për eliminatoret e Kampionatit Europian 2024.
Cana nënvijëzon se për herë të parë janë shmangur superfuqitë e Europës në futboll, duke krijuar mundësi reale për një kualifikim në Euro 2024.
Në fund ka edhe një mesazh për djemtë e Kombëtares, të cilëve u kujton faktin se janë shqiptarë dhe se nuk ka asgjë të pamundur.
Lorik Cana: Nuk e di, duhet parë nëse ka ndonjë Lorik akoma në treg që luan. E vështirë. Ka qenë një Lorik në kampionatin e Kosovës, por nuk e di nëse është në nivel akoma. Unë mundohem të jem prezent në sytë e shqiptarëve nëpërmjet Champions League-s. Jam tërhequr pak. Unë futbollin vazhdoj ta ndjek gjithmonë me të njëjtin pasion, gjithmonë me të njëjtën dashuri. Aq shumë kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar.
"Nuk kemi qenë shpesh herë në vazon e tretë. Kjo është një arritje që është bërë ndër vite dhe nuk është pak. Për herë të parë shmangim një superfuqi në këto eliminatore dhe kemi vetëm një ekip për të lënë pas nesh. Matematikisht jemi në një situatë që nuk kemi qenë asnjëherë më parë. Duke ditur që shmangim Italinë, Spanjën, kroatët, belgët, Francën."
Për Lorik Canën nuk ka asgjë të pamundur.
”Ekipi jonë ka shanse shumë të mirë, pa i vënë një presion të tepërt, për të qenë pjesë e një kompeticioni tjetër madhor. Është vështirë për të dhënë këshilla kur ke vite që je tërhequr. E vetmja gjë që mund t’ju them këtyre djemve është që kur njerëz dhe turma kalojnë një mesazh, është një mesazh që thjesht duhet të reflektojë çfarë presin njerëzit. Ekipi kombëtar është një simbol dhe një përfaqësim jo vetëm i vendit tonë, por i gjithë shoqërisë sonë. Kur ai ecën mirë, na bën mirë. Është si një serum që injektohet. Mesazhi për djemtë e Kombëtares? Jemi shqiptarë. S’ka asgjë që është e pamundur”, është shprehur Lorik Cana
