“Edhe Shqipëria, edhe Kosova, do të jenë në këtë Europian”, Ademi: Futbollistët tanë janë në formën e tyre më të mirë

Agim Ademi ka dhënë përshtypjet e tij për shortin e kualifikueseve të Euro 2024 për ekipin e Kosovës.

Gjatë një interviste për “Ora Sport“ në “Ora TV“, presidenti i FFK-së tha se nuk e sheh të vështirë vendin e parë në grup, pavarësisht se përballë do të kenë edhe Kombëtare si Zvicra apo Izraeli.

Sipas Ademit si Kosova, ashtu edhe Shqipëria do të jenë pjesë e turneut që do të zhvillohet pas dy viteve në Gjermani.

Një gjë e tillë për Ademin do të ishte një promovim mjaft i mirë për UEFA-n, pasi stadiumet do të stërmbusheshin nga tifozët shqiptare.

Agim Ademi: Për Kosovën është një grup korrekt. Jemi aty-aty me ekipet, pa nënçmuar askënd. Vetëm Zvicra është ajo pjesa më e rëndë me të cilën duhet të kemi kujdes. Është një grup që na lejon të luajmë. Është e rëndësishme ta kemi ekipin të kompletuar, të mos kemi dëmtime. Jam i lumtur që lojtarët tanë janë në ekipe të mira, jo në top ekipet e botës, por në ato që mund të quhen mesatare.

“Kemi kërkuar të jenë në formacion ata futbollistë që e meritojnë dhe që janë në formën më të mirë të momentit. Çdo trajner e kanë frikën e tyre për çdo ndeshje. Edhe për ekipet që mund ti konsiderosh të dobët, humbet nëse nuk e jep 100%-shin e vetë. Për Izraelin ka kush na e tregon, Shqipëria ka luajtur me Izraelin. Mund të marrim nga Shqipëria të gjitha informatat për Izraelin. Për ekipet e tjera jemi pak më lart se ata. Kam besim te djemtë tanë. Kam besim te puna dhe angazhimi i tyre. Mbase është momenti ynë të kualifikohemi dhe të shkojmë në Europë. Mendoj që në këtë grup e meritojmë.

Futbollistët tanë janë në formën e tyre më të mirë dhe prandaj e kërkojmë rezultatin. Jam i bindur që do ta kemi rezultatin. Nuk e shoh të pamundur vendin e parë. Unë shpresoj shumë dhe besoj që edhe Shqipëria, edhe Kosova, do të jenë në këtë Europian.”