Mungon dëshira për të djersitur për fanellën, Duka për Sadikun: Është jashtë Kombëtares, prandaj mendon ndryshe
Armand Duka në emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ka folur rreth Kombëtares shqiptare.
Presidenti i FSHF-së vlerësoi kualitetet në ekipin e Shqipërisë dhe kualifikimin për një kompeticion madhor e sheh si majën në karrierën e një lojtari.
Duka i është përgjigjur edhe pyetjes për deklaratën e fundit të Sadikut, i cili është i mendimit se te kuqezinjtë mungon grupi dhe dëshira për të djersitur për fanellën e Kombëtares.
Kreu i Federatës Shqiptare është shprehur se sulmuesi i Kartagjenës ndodhet jashtë ekipit kombëtar momentalisht dhe për këtë arsye ka krijuar këtë përshtypje.
Gjithashtu Duka ka folur edhe për hipotezën se lojtarët e “Abissnet Superiore”-s ndihen të lënë pas dore nga Kombëtarja, duke e quajtur këtë vetëm një thashethem gazetaresk.
Ai rendit edhe emrat e dalë nga kampionati shqiptar dhe që sot janë në urdhërat e Rejës.
Armand Duka: Kemi kualitete të mira, futbollistë që pothuajse mbi 50% e tyre luajnë me ekipet e tyre me ekipe të nivelit të mesëm dhe të lartë. Çdo futbollist që vjen aty ka ëndërr të bëjë sukses dhe padyshim që ndihmojnë të krijojnë një grup kompakt. Për çdo futbollist, për ata që luajnë me nacionale si ne është të marrin pjesë në këto kompeticione të rëndësishme, ndërsa për ata që luajnë me ekipe të mëdha është të fitojnë një Kupë Europiane apo një Kupë Bote. Është kulmi i karrierës së një futbollisti dhe nuk ka se si të mos jenë të impenjuar.
“Fakti që ne në këtë edicion nuk morëm rezultatet e pritshme ka qenë edhe mungesa e titullarëve, sidomos në dy ndeshjet e fundit. Gjë që nuk na ka ndodhur ndonjëherë.”, tha ai.
