Yuri Kim zbardh takimin me Shalsin dhe Kotin, gjykatat mbeten shqetësim për bizneset amerikane

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka pasqyruar në rrjetet sociale takimin që pati sot me kryetarin dhe nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë.

"Faleminderit Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Parlamentit Eduard Shalsi dhe  nënkryetares Sorina Koti për mundësinë për të dëgjuar për prioritetet e komisionit dhe për të diskutuar mënyrat për të rritur investimet amerikane në Shqipëri.

Diplomatja amerikane thotë se "rregulla të qarta, racionale (përfshirë pronën)+ procedura transparente+ gjykata të pastra janë të nevojshme për të tërhequr më shumë investime nga të cilat përfitojnë më shumë njerëz".

Kim nënvizon se investitorët  amerikanë duhet të dinë se në rast mosmarrëveshjesh, gjykatat në Shqipëri do të japin gjykimin e bazuar në ligj, jo për shkak të frikës apo favorit.

"Kjo është lidhja mes reformës në drejtësi dhe biznesit. Reforma në drejtësi nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë, ka të bëjë edhe me prosperitet për më shumë shqiptarë" thotë ajo.

Ambasadorja Kim thekson se të gjithë, jo vetëm të pasurit dhe të fuqishmit, duhet të kenë një mundësi të drejtë për të përmirësuar jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.