Zelensky: Putin po përgatit rusët të përdorin armë bërthamore, por nuk është i gatshëm që ta bëjë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për sanksione parandaluese ndaj Rusisë, duke thënë se zyrtarët e vendit kanë filluar të "përgatisin shoqërinë e tyre" për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore në luftë.

“Ata kanë filluar të përgatisin shoqërinë e tyre. Kjo është shumë e rrezikshme”, tha Zelensky në një intervistë për BBC.

“Ata nuk janë gati ta bëjnë këtë. Por ata kanë filluar ta komunikojnë atë. Ata nuk e dinë nëse do t'i përdorin apo jo. Mendoj se është e rrezikshme edhe të flasim për këtë”, shtoi ai.

Ndërkohë, presidenti ukrainas mohoi nxitjen e sulmeve ndaj Rusisë, duke pretenduar se një deklaratë e mëparshme ishte përkthyer gabimisht.

Intervista e Zelensky erdhi disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se kërcënimi rus për të përdorur armë bërthamore e ka sjellë botën më afër se kurrë "Armagedonit", që nga kriza e raketave Kubane gjatë Luftës së Ftohtë.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se duhet veprim tani, pasi kërcënimet e Rusisë përbëjnë një "rrezik për të gjithë planetin".

Moska, pretendoi presidenti ukrainas, "ka bërë tashmë një hap" duke sekuestruar termocentralin bërthamor të Zaporizhia, termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, të cilin Presidenti Putin po përpiqet ta kthejë në pronë ruse.

“Bota mund të ndalojë veprimet e pushtuesve rusë”, shtoi Zelensky.

 "Bota mund të zbatojë paketën e sanksioneve në raste të tilla dhe të bëjë gjithçka për t'i bërë ata të largohen nga centrali bërthamor."

Javët e fundit, ushtria ukrainase ka bërë përparime të rëndësishme në lindje dhe jug të vendit, duke rimarrë qytete dhe fshatra edhe në zonat që Kremlini pretendon se janë tani pjesë e Rusisë.

“E vetmja gjë që Putini ka frikë nuk është një sulm bërthamor. Ai i frikësohet shoqërisë së tij, njerëzve të tij. Sepse vetëm populli mund ta zëvendësojë atë, t'ia heqë pushtetin dhe t'ia japë një personi tjetër", theksoi Zelensky.