Show me energjinë, eksperti për fashën 800 kilovat: Tarifat i përcakton ERE, Rama bëri pas për shkak të tenderit të KESH

Vendimi i qeverisë për tu tërhequr nga fasha 800 kilovat për muajin tetor dhe më pas njoftimi i ERE se fasha është në fuqi shkaktoi një konfuzion të madh te qytetarët.

Eksperti i energjisë, Azmer Duleviç, në një intervistë për Ora News mer gazetaren Siklajda Shorja hodhi dritë mbi këtë amulli të krijuar këto dy ditë.

Duleviç: Deri në momentin që Bordi i ERE nuk mblidhet sa i përket situatës së dy ditëve të fundit, mbetet në fuqi vendimi i marrë para disa ditësh nga ana e ERE.Në këtë rast duhet që Bordi i ERE të mblidhet në fillim të javës në vazhdim dhe të marrë vendim dhe vendimet që do të marrë do të jenë në përputhje me vendimin që ka marrë kryeministri Rama.

Në të kundërt, nëse nuk janë në të njëjtën linjë mbetet në fuqi fasha prej 800 kilovat orësh dhe nuk dihet si do zgjidhet kjo procedurë. Nga përgjigjja e djeshme e ERE mbetet në fuqi fasha, kurse Rama sot deklaroi se do hyjë në fuqi në datë 1 nëntor. Por vendimet sa i përket energjisë elektrike nuk i vendos kryeministri Rama me dalje publike, por është ERE që përcakton tarifat. Është mbi palët. Qeveria, OSHEE dhe KESH thjesht janë palë, nuk kanë fuqi vendimmarrëse.

Eksperti thotë se në këtë situatë duhet vepruar në mënyrë sa më koherente.

Ai shtoi se situata energjitike në këtë moment është më e stabilizuar por sipas tij shtyrja e fashës për muajin nëntor lidhet me një tender që është bërë nga KESH për të siguruar energjinë elektrike nga data 1 tetor në 31 tetor me një fond prej 34 milion eurosh.

Duleviç: Është siguruar energjia elektrike e nevojshme për kërkesën e qytetarëve shqiptarë, nuk ka të bëjë fare me faktin për të shpëtuar qytetarët nga fasha apo me rritjen e rezervës hidrike. Të dhënat hidrike në tre HEC-et nuk kanë ndryshuar, janë në të njëjtat nivele që kanë qenë para disa javësh.

Është më tepër një propagandë apo show televiziv nga ana e kryeministrit. Sa i përket ERE, duhet të dalë të japë shpjegime pasi ka pasur dijeni të plotë për tenderin e KESH. ERE ose ka marrë vendim të gabuar ose duhet të zhbëhet dhe nuk ka asnjë arsye pse të jetë më funksional. Anëtarët e Bordit të ERE kanë rroga 3-4 milion lekë të vjetra dhe ne flasim për krizë.

Duleviç nga ana tjetër sqaroi se fasha 800 kilovat vlen vetëm për konsumatorët familjarë dhe jo bizneset, të mëdha apo të vogla qofshin.

Ai shtoi se këtyre të fundit u është rritur energjia elektrike më herët dhe pasojat e saj janë reflektuar te rritja e çmimit të të gjithë produkteve bazë.

Duleviç: Bizneset e mëdha dhe të vogla nuk preken nga fasha 800 kilovat, është vetëm për abonentët familjarë. Bizneseve u është rritur energjia. E keni vënë re se janë rritur të gjithë produktet bazë për shkak të saj. Duhet dhënë një mbështetje nga qeveria sepse në fund preken qytetarët.