"S'mund të ndryshoja karakter në këtë moshë…", drejtuesi i PD-së në Lezhë dorëhiqet para zgjedhjeve
Pesë muaj në krye të degës së Partisë Demokratike duket se kanë mjaftuar për Arben Ndoin për të kuptuar se e ka të pamundur realizimin e objektivit kryesor që i kishte vënë vetes, bashkimin e demokratëve.
Përmes një sqarimi të gjatë ku njofton se i ka paraqitur dorëheqjen zotit Berisha, ai ka arsyetuar dhe shkaqet që e çuan drejt këtij vendimi.
"Janë një pakicë e vogël, të cilët kanë përfituar aq shumë prej PD. Shumica prej tyre të pa sprovuar asnjëherë me votë dhe pa asnjë aksion politik. Pikërisht këta persona harxhojnë kaq shumë energji negative në një luftë të paprinciptë brenda llojit. Ndërkohë që për asnjë sekondë nuk i shikova të bëjnë opozitë ndaj kundërshtarit politik, Rilndjes, e cila qeveris pothuaj prej 10 viteve Shqipërinë. Për fatin e keq disa nga këta servilë, hileqarë, prapaskenistë, intrigantë, gjejnë terren dhe mbështetje nga apendikse të caktuara brenda PD në qendër. Kjo ndikon në krijimin e një frymë negative dhe afekton mbarëvajtjen e punës brenda PD Lezhë. Dhe natyrisht kjo ka shkaktuar edhe një demotivim timin në kryerjen e funksionit tim si kryetar.E mirëkuptoj edhe zhgënjimin e disave prej jush nga ky akt i dorëheqjes time. Por në kushtet e pamundësisë për të ndryshuar këtë realitet, kisha vetëm dy alternativa: ndryshimin e karakterit tim në këtë moshë (56 vjeç) ose dorëheqjen" thotë ai.
Dorëheqja e tij vjen pa muaj para zgjedhjeve vendore.