Pengmarrje në Durrës – Tiranë, dy vëllezër dhunohen në rrugë, njëri rrëmbehet pas aksidentit
Një aksident u pasua në pengmarrje në autostradën Durrës-Tiranë. Indrit Beqiraj u rrëmbye në mes të rrugës nga katër persona, që më herët e dhunuan atë dhe të vëllanë, Gentianin. Sipas dëshmive sherri nisi pasi motori ku udhëtonin dy vëllezerit u përplas me një makinë.
Një konflikt në mes të autostradës Durrës-Tiranë u shndërrua në pengmarrje.
Vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj, persona me precedentë penalë fillimisht u përplasën fizikisht në rrugë, me katër persona tashmë të identifikuar.
Indrit Beqiraj më pas është marrë me forcë dhe është hipur në një makinë, ku është mbajtur peng për disa minuta dhe më pas është lënë i lirë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pasditen e djeshme, 2 tetor 2022 në vendin e quajtur “Koxhas”, pranë mbikalimit të Maminasit.
Në dëshminë e parë në Polici, dy vëllezerit Beqiraj, kanë dëshmuar se konflikt nisi pas një aksidenti.
Ata pretentojnë se po udhëtonin drejt Tiranës me motor, kur janë përplasur me një makinë e për pasojë dolën jashtë rruge.
Debati më pas ka përshkallëzuar në dhunë fizike dhe pengmarrje.
Por kjo dëshmi është marrë me rezerva nga grupi hetimor.
Krahas pistës së aksidentit, po hetohen edhe motive të tjera.
Për shkak se sipas burimeve, 6 personat kanë njohje të mëhershme, nuk përjashtohet mundësia që pengmarrja të jetë pasojë e konflikteve të mëhershme.
Policia e Durrësit, pas kallzimit të Indrit Beqirajt mësohet se ka regjistruar hetimin për heqje të paligjshme të lirisë, ndërsa nën drejtimin e prokurorisë, po punohet për zbardhjen e dinamikës dhe shkaqeve.
Indrit dhe Gentian Beqiraj, me precedent të mëparshëm penal për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa identitetet e 4 personave të tjerë me të cilët u konfliktuan nuk bëhen të ditura ende për shkak të hetimit.
Çfarë raportoi policia?
"Në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, shtetasit G. B. dhe I. B. (vëllezër), duke udhëtuar me motor, dyshohet se janë përfshirë në një incident rrugor, pasi një automjet ka goditur motorin e tyre, i cili për pasojë ka dalë nga rruga. Për këtë shkak, dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht me personat që ishin në automjet.
Në konflikt e sipër, personat që ishin në automjet kanë marrë njërin prej vëllezërve, shtetasin I. B., të cilin e kanë lënë në rrugë, larg nga vendi i konfliktit, dhe më pas janë larguar.
Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, në bazë të kallëzimit të shtetasit I. B., është regjistruar procedimi penal dhe po punohet për sqarimin e motivit dhe të rrethanave të ngjarjes, si dhe për implikimin e këtyre personave, në ngjarje të tjera."
