Abissnet Superiore, Laçi zbret në fund, Kukësi gjen suksesin e parë në kampionat
Në javën e gjashtë të Kategorisë Superiore vjen edhe fitorja e parë e Kukësit në një transfertë ku tre kundërshtarët e fundit kanë kaluar me të njëjtin rezultat, 1-0 duke i shkaktuar Laçit një tjetër humbje që e zhyt edhe në fundin e klasifikimit.
Pas fitores së javës së parë me Teutën, ekipi bardhezi nuk ka ngritur më kokë duke regjistruar 5 humbje rresht. Gabriel Barbosa gjeti golin e parë sezonal në një ndeshje të luajtur fort nga të dyja skuadrat por ishte 23-vjeçari brazilian që e zgjidhi me një goditje me kokë në pjesën e parë.
3 pikë shumë të rëndësishme për skuadrën e trajnerit Dobi, i cili shijon suksesin e parë për të dhe Kukësin në një sezon që nisi në mënyrën më të keqe të mundshme dhe që kulmoi me largimin e Skëender Gegës pas 4 javëve kampionat.
Në përballjen tjetër të së shtunës, Egnatia dhe Kastrioti ndanë nga 1 pikë në barazimin pa gola të Rrogozhinës. Një rezultat deri diku zhgënjyes ky për ekipin e Edlir Tetovës që nuk arrin të gjejë golin në 180 minutat e fundit të kampionatit.
