BE shpall kufirin e çmimit për naftën ruse në paketën e tetë të sanksioneve ndaj Moskës

Komisioni Evropian po propozon një kufi çmimi për naftën ruse si pjesë e paketës së tij të fundit të sanksioneve kundër Moskës për luftën e saj me Ukrainën, njoftuan të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefi i marrëdhënieve të jashtme Josep Borrell.

Paketa e re vjen pas njoftimit të Kremlinit për mobilizimin e pjesshëm, referendumet e aneksimit në zonat e pushtuara nga Rusia të Ukrainës dhe kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore.

“Ne nuk pranojmë referendumet e rreme dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë dhe jemi të vendosur të bëjmë Kremlinin të paguajë për këtë përshkallëzim të mëtejshëm”, tha von der Leyen të mërkurën në Bruksel. 

"Sanksionet tona kanë goditur rëndë sistemin e Putinit. Ato e kanë bërë më të vështirë për të që të mbajë luftën. Dhe ne po rrisim përpjekjet tona këtu."

Kufiri i çmimit të naftës ishte rënë dakord më parë nga vendet e G7. SHBA kishte ushtruar presion ndaj BE-së për të vendosur kufirin deri më 5 dhjetor, kur sanksionet evropiane që ndalonin  importet detare të naftës së papërpunuar ruse  hyjnë në fuqi. 

Von der Leyen tha se do të publikonte bazën ligjore për këtë kufi të çmimit të naftës, për të reduktuar të ardhurat ruse dhe për të stabilizuar tregun global të naftës.

Sanksionet , paketa e tetë e BE-së kundër Rusisë, përfshin më shumë masa kundër individëve që ndihmojnë përpjekjet e luftës të Vladimir Putin, si dhe ndalime të tregtisë së mallrave.

Do të ketë ndalime të reja të importit të produkteve ruse në tregun evropian. Masat e tjera në paketën e re përfshijnë ndalime të reja të eksportit në Rusi, për shembull në artikuj shtesë të aviacionit, komponentë elektronikë dhe substanca kimike specifike, tha von der Leyen. 

Do të ketë gjithashtu ndalime shtesë për ofrimin e shërbimeve evropiane për Rusinë dhe një ndalim për shtetasit e BE-së që të ulen në bordet drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore ruse.

BE-ja gjithashtu dëshiron të sanksionojë më shumë individë, duke përfshirë ata të përfshirë në organizimin e referendumeve, tha Borrell, dhe gjithashtu të sanksionojë individë nëse i shmangin sanksionet evropiane.

Komisioni Evropian prezantoi masat e reja para ambasadorëve të BE në takimin e tyre të mërkurën. Ata pritet të diskutojnë në thellësi në takimin e tyre të ardhshëm të premten.