Zelenski i drejtohet OKB-së: Izoloni Rusinë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i tha të martën Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia duhet të izolohet ndërkombëtarisht për referendumet e rreme të organizuara në territorin e vendit të tij.
SHBA dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se ato referendum janë një pretekst për aneksimin e territoit nga Moska dhe përshkallëzim i ofensivës së saj ushtarake në vend, shkruajnë mediat e huaja.
“Ka vetëm një mënyrë për ta ndaluar gjithë këtë. Së pari, izolimi i plotë i Rusisë në përgjigje të gjithçkaje që bën,” tha Zelenski.
Ai shtoi se “ Rusia nuk mund të mbetet një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtën e vetos, nëse zhvillon këtë politikë gjenocidale duke e mbajtur botën një hap larg një katastrofe dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë të kërcënojë me armë bërthamore. Rusia duhet të përjashtohet nga të gjitha organizatat ndërkombëtare”.
Rosemary DiCarlo, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike dhe ndërtimin e paqes, i tha Këshillit të Sigurimit se votimet e referendumit që po kryhen nga zyrtarët rusë në territorin e Ukrainës "nuk mund të konsiderohen si të ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar".
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya tha se rezultatet nga referendumet do të publikohen gjatë ditëve të ardhshme dhe u përpoq t'i portretizojë ato si "mbajtëse të të gjitha normave zgjedhore".
Ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield, tha se SHBA dhe Shqipëria kanë autorizuar një rezolutë për të refuzuar votat e referendumit të Rusisë në Ukrainë, dhe “po iu bën thirrje vendeve anëtare të mos njohin asnjë status të ndryshuar të Ukrainës dhe të detyrojnë Rusinë të tërheqë trupat e saj nga Ukraina,”.