"Shumica votuan për bashkimin me Rusinë", Kremlini pretendon fitoren në referendume, ja kur fillon aneksimi

Zyrtarët e instaluar nga Moska në rajonet pjesërisht të pushtuara të Ukrainës pretenduan se shumica e votuesve në referendumet e rreme kanë votuar për bashkimin me Rusinë.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara njoftuan se po planifikojnë të paraqesin një rezolutë në Kombet e Bashkuara për të dënuar të ashtuquajturat referendume.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

SHBA-ja po ashtu po përgatit një rund të ri të sanksioneve kundër Rusisë nëse ajo anekson territorin ukrainas, por edhe një pako të re të armëve për Ukrainën në vlerë prej 1.1 miliard dollarësh do të shpaloset së shpejti, thanë zyrtarët amerikanë.

Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën për pesë ditë në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut dhe në Zaporizhja e Herson në jug. Këto katër rajone përbëjnë rreth 15 për qind të territorit ukrainas.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia pretenduan se rezultatet varijonin nga 87 për qind deri në 99.2 për qind në favor të bashkimit me Rusinë. Kreu i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus tha se kjo dhomë mund ta shqyrtojë aneksimin më 4 tetor.

“Rezultatet janë të qarta. Mirë se erdhët në shtëpi, në Rusi”, tha Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus që tani shërben si kreu i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe njëherësh është aleat i presidentit Vladimir Putin.

Në territoret e pushtuara, zyrtarët e instaluar rusë mblodhën votat shtëpi më shtëpi. Kievi dhe Perëndimi thanë se kjo ishte e paligjshme dhe ishte një metodë e frikësimit të votuesve me qëllim që të krijohet pretekst ligjor për Rusinë që të aneksojë katër rajonet ukrainase.

“Kjo farsë në territoret e pushtuara nuk mund të quhet as imitim i një referendumi”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një video-adresimi në orët e vona të së martës, shkruan REL.