Shpërthimet në NordStream, BE dhe Amerika akuzojnë rusët: Është sinjal për NATO-n
Rrjedhja e shkaktuar ditë më parë në gazsjellësat rusë për në Evropë ka alarmuar vendet e NATO-s. BE-ja dhe SHBA-ja mendojnë se po flasim për shpërthime të kontrolluara, duke drejtuar gishtin nga Kremlini. Ekspertët e cilësojnë mesazh të Moskës për NATO-n. Moska ndërkaq ka mohuar që të ketë shkaktuar shpërthime pranë gazsjellsave të saj për në Evropë.
Shpërthime të forta me qëllim apo tërmete? Kjo ishte pyetja që intrigoi menjëherë zyrtarët e lartë evropianë sapo pati dëmtime pranë gazsjellsave rusë për në Evropë, Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2.
Këtë të mërkurë, udhëheqësit evropianë kanë dalë në deklarata për shtyp duke thënë se kemi të bëjmë me shpërthime të qëllimta që kërcënojnë sigurinë e kontinentit. Disa zyrtarë fajësuan Kremlinin për këto shpërthime afër gazsjellsave.
Kryediplomati evropian Borrel tha se rrjedhjet në dy tubacionet nënujore të gazit rus “nuk janë rastësi”, por ka tregues se janë “akte të qëllimshme”.
Dy shpërthimet shkaktuan rrjedhje në tubacionet nënujore Nord Stream që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë, dhe shtëllunga masive flluskash gazi në sipërfaqen e Detit Baltik.
Rusia e ka mohuar përgjegjësinë për rastin.
Qeveria ruse është “jashtëzakonisht e shqetësuar”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Dëmi që ka ndodhur në një ditë njëkohësisht në tre linja të tubacioneve detare të sistemit Nord Stream është i paprecedentë”, tha në një deklaratë kompania operuese, Nord Stream AG.
Akti merr rëndësi nëse vërtetohet se është sabotazh i qëllimshëm, sepse, sipas ekspertëve të fushës është mesazh që i dërgohet vendeve të NATO-s.
Ky mund të jetë kërcënim për infrastrukturën tjetër energjetike jo-ruse, pasi shumë tubacione përshkojnë Detin Baltik, duke përfshirë edhe kabllot kryesore të të dhënave të internetit që shtrihen përgjatë fundit të detit.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara ishin në dijeni të raporteve të paverifikuara se rrjedhjet mund të jenë rezultat i "një sulmi ose një lloj sabotimi".
