Alibeaj e Bardhi me deputetin e CDU: E siguruam se nuk kthehemi pas për vendimet e marra në PD
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj është takuar ditën e sotme me deputetin kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i grupit parlamentar CDU/CSU.
Bashkë me Alibeajn ka qenë edhe deputeti Gazmendt Bardhi, ndërsa Alibeaj shkruan se është biseduar për integrimin e vendit dhe sistemin e drejtësisë.
Alibeaj thekson se e kanë siguruar Krichbaum për qëndrimin e palëkundur dhe vendimet e marra pa kthim pas të PD në rrugën e saj drejt të ardhmes, me fokus në shërbim të qytetarëve dhe demokracisë.
Alibeaj: Një takim miqësor dhe i hapur me z. Krichbaum. Bashkëbiseduam mbi çështje të rëndësishme të procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë, përmbushja e parakushteve dhe rrugën që duhet të ndjekë politika shqiptare në këtë proces, si dhe sfidat që prekin sistemin e drejtësisë ndër vite, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si garantues të demokracisë funksionale.
Reformat e ndërmarra nga PD në shërbim të qytetarëve, reforma Administrativo-Territoriale dhe reforma Zgjedhore janë hapa konkretë qe duhet dhe do të sjellin produkte të prekshme për shqiptarët. E siguruam z. Krichbaum për qëndrimin e palëkundur dhe vendimet e marra pa kthim pas të PD në rrugën e saj drejt të ardhmes, me fokus në shërbim të qytetarëve dhe demokracisë.
