Digjen ullishtet, rrezikohen shtëpitë

Dy vatra zjarresh shkrumbuan ullishte dhe rrezikuan shtëpi të banuara në Mërgëlliç të Patosit dhe Kaninë të Vlorës. Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshe, ndërsa për të vënë nën kontroll flakët u desh ndërhyrja e helikoperëve të ushtrisë.

Vapa iku me gushtin,dhe vjeshta është koha e zjarrvënieve të qëllimshme.

Këto pamje tregojnë përmasat e frikshme që mori zjarri që përfshiu kodrat me ullinj në fshatin Kaninë të Vlorës.

Të ndihmuara edhe nga era flakët që u shfaqën pas mesdites u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe.

Qindra rrënjë ullinj, një pjesë e të cilëve dhjetëra vjeçar u shkrumbuan, ndërsa disa shtëpi pranë një prej vatrave të zjarrit u rrezikuan.

Për shkak të terrenit dhe përmasave që mori zjarri ndërhyrja nga toka ishte e pamundur, ndaj u kërkua ndihma e helikopterit të ushtrisë, që shmangu përshkallëzimin e situatës.

"Ka reaguar menjëherë dhe ka sjellë ndërhyrjen në këtë zonë kaq të rëndësishme për qytetin e Vlorës."

Por ndërsa vlerësoi punën e forcave të angazhuara në luftë me flakët, prefekti i Vlorës një thumbim e kishte për banorët e zonës që sipas tij qëndruan si spektatorë.

"Këta spektatorë që janë banorë të zonës duhet të ndërhyjnë në pronën e tyre për të dhënë dhe ata kontributin për shuarjen e zjarrit."

Më herët gjatë të enjtes, helikopteri i ushtrisë ndërhyri në një situatë e ngjashme që  krijua si pasojë e një zjarri në Mërgëlliç të Patosit.

Flakët përfshinë një sipërfaqe të madhe me shkurre e ullishte, ndërsa rrezikuan banesa dhe një kabinë elektrike.

Në të njëjtën kohë, një banesë dy katëshe u dogj në lagjen "29 Marsi" në qytetin e Patosit.

Fatmirësisht dy zjarret përfunduan pa të lënduar, por nxorën në pah edhe një herë problematikat shërbimet zjarrfikëse në bashki të vogla si ajo e Patosit.

Digjen ullishtet, rrezikohen shtëpitë