"Shembin shkollat, vjedhin fonde", mbi 3 mijë nxënës në Paskuqan mbesin urbanëve, mësim me turne dhe orë të shkurtuara

Partia Demokratike ka denoncuar shembjen e e paligjshme të disa shkollave në Paskuqan, teksa thotë se qeveria ka lënë në rrugë mbi 3 mijë nxënës. Siguria e fëmijëve, mësimi me turne dhe ankesat e mësuesve janë vetëm disa prej probleme që institucionet përgjegjëse nuk u janë përgjigjur.

Kjo është situata kaotike e nxënësve së tri shkollave në Paskuqan. Për shkak të shembjes së tyre brenda 48 orësh, nxënësit e 9-vjeçares "Azem Hajdari", "Lidhjes së Prizrenit", Gjimnazit Babrru dhe një kopshti kanë mbetur stacioneve të urbanëve.

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, ka denoncuar rastin, si pasojë e të cilit mbi 3 mijë nxënës përdorin këtë transport çdo ditë nën kujdestarinë e mësuesve për të bërë mësim turni i dytë në gjimnazin "Isa Boletini".

Hajdarmataj: Një katastrofë jo vetëm sa i përket sigurisë së nxënësve, mënyra si transportohen por edhe sa i rrezikuar është tashmë procesi i mësimdhënies dhe mësimnxënies së këtyre fëmijëve. Orët janë të shkurtuara, është rikthyer problemi i turneve të mësimit të këtyre nxënësve.

Hajdarmataj bëri me dije se 50 mësues kanë firmosur një peticion sipas të cilit kërkojnë t’u hiqet kjo detyre për arsye sigurie të nxënësve.

Hajdarmataj: Detyra e tyre nuk është kjo. Detyra e tyre është mësimdhënia e fëmijëve, ruajtja e tyre brenda ambjenteve të shkollës, jo në këtë formë. PD shtron para pushtetit vendor, Drejtorisë Arsimore dhe Ministrisë së Arsimit pyetjet: Çfarë do bëhet me arsimin në Shqipëri, kjo është situata që na prezanton Rilindja?

Kjo situatë është e përsëritur në disa zona te kryeqytetit, e pavarësisht reagimeve të njëpasnjëshme nuk ka patur asnjë shpjegim apo zgjidhje nga ana e institucioneve.