"Jemi në agresion dhe qeveria gënjen dynjanë", Salianji: Shteti në duar të armiqve, kemi dorëzuar të gjithë të dhënat
Prokuroria ndaloi sot median për të publikuar materialet që dalin nga hakerat në të kundërt do të duhet të përballen me ligjin.
Deputeti demokrat Ervin Salianji në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se kjo është një çështje sensitive dhe duhet bërë kujdes.
Salianji: Është një çështje sensitive që duhet patur kujdes. Por Rama para dy ditësh tha se nuk ka asnjë të dhënë sensitive që është hakëruar nga ana e hakerave iranianë sipas qeverisë por mesa duket e konfirmuar dhe nga partnerët. Duhet pasur një lloj kujdesi por para kujdesit të sotëm duhet të kishte pasur kujdes për tu ruajtur këto të dhëna se janë 130 mln euro që i ka AKSHI si strukturë. Nga ana tjetër suilmi ndaj sistemit të policisë është më i rëndë. Më të rëndë e bën fakti që sulmi ka nisur që në 2021. Ka më shumë se një vit që Shqipëria është në sulm nga hakerat, jemi në agresion nga një qeveri e huaj dhe qeveria gënjen dynjanë.
Sipas Salianjit, Prokuroria që merr me shpejtësi këtë vendim duhet të informojë publikun për një hetim tjetër që duhet bërë që këta që kishin për detyrë ti ruanin këto e kanë kryer detyrën tamam.
Salianji: Kryeministri ka ndonjë përgjegjësi, drejtorët kanë përgjegjësi? Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në vend tjetër, tregon se Shqipëria është një hallkë e dobët e NATO-s. Ja ka lehtësuar qeveria gjithë këtë, shumicën e këtyre tenderave i kanë marrë tre kompani. Të gjithë të dhënat e qytetarëve që mbrohen me ligj, janë të dhëna sensitive dhe mund të rrezikojnë gjithçka, ishin publike.
Nuk mbeti gjë pa dalë për shkak të përdorimit që i bëri PS gjithë infrastrukturës shtetërore në zgjedhjet e 25 prillit. Këto dolën publike. Shiteshin dhe bliheshin. Duhet hetim i plotë, mos ka ndodhur që ndonjëri këtu ka bashkëpunuar, mos ka ndodhur që kompania që kishte për detyrë ta ruante nuk ka bërë detyrën si duhet? Nuk mund të kalojë kaq lehtë dhe as me mashtrim.
Prokuroria siç ka pasur shpejtësinë të ndërmarrë këtë veprim duhet të ketë shpejtësinë për të nisur dhe një hetim pse kanë dalë, si kanë dalë. Nëse ka pasur shpërdorim, bashkëpunim nga ana e zyrtarëve shqiptarë. Këto të dhëna edhe nëse nuk dalin në media por qarkullojnë në telefona kudo. Po kështu janë në faqen e grupit të hakerimit që aksesohet nga qytetarët. Është detyrim i institucioneve për ti ndaluar.
Deputeti thotë se shteti shqiptar praktikisht është në duart e armiqve.
Salianji: Papërgjegjshmëria me të cilën e merr qeveria është alarmante. Kam kërkuar personalisht në Komisionin e Sigurisë që të vijnë të gjithë drejtuesit e institucioneve të informojnë parlamentin. Edhe presidenti duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Shteti i ka dorëzuar të gjithë të dhënat e veta, sot është vetëm skelet. Janë në duar të armiqve.
Salianji komentoi edhe publikimin e emaileve të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano, bashkë me hyrje daljet e tij në kufi, nga grupi i hakerave që kreu sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, çka pasoi më pas edhe censurimin e mediave nga prokuroria.
Salianji: Së pari duhet të konfirmohet saktësia e tyre. Kët raste nëse janë të vërteta ato që janë publikuar janë tronditëse për opinionin publik dhe duhet të ketë përgjegjësi se kanë dalë por edhe për mosveprim. Ne kemi thënë se policia ka informacionet e domosdoshme por nuk ndërhyn për shkak të vullnetit politik për të mbrojtur krimin e organizuar.

