Peticioni në Kryeministri, studentët: Duam nga 100 euro mbështetje, jetesa e papërballueshme
Ashtu siç premtuan, studentët janë bërë bashkë për të kërkuar mbështetje ekonomike.
Me mbi 6 mijë firma të mbledhura, studentët kërkojnë përfshirjen në paketën e rezistencës.
Këtë të hënë dorëzuan peticionin në Kryeministri, ku vënë në dukje nevojat për ti dhënë çdo studenti të paktën 100 euro.
"Çmimet e shportës janë rritur ndjeshëm. Gjithashtu dhe qiratë. Çmimi mimimal i një banese në periferi është 300 euro. Për studentët kjo është një kosto e papërballueshme. Ndaj i jemi drejtuar Kryeministrit, do t'ja çojmë peticionin dhe Ministrisë së Arsimit".
Ata paralajmëruan edhe protesta ose bojkotim të vitit akademik nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
"Kjo është një nismë ligjore. Mund të kemi dhe organizime të tjera, mund të biem dakord si do organizohemi. Me këto kushte që jemi është i pamundur të nisë viti akademik se xhepat e studentëve janë bosh."
Studentët janë lënë jashtë paketës së rezistencës sociale të vendosur nga qerveria për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve për shtresat në nevojë.
Përmes peticionit të realizuar online përmes portalit Studentët Denoncojnë ata kërkojnë mbështetje financiare, ashtu siç edhe ka ndodhur në shtetet të tjera të rajonit.
