"Mora garanci të plota", Meta: A mban njeri përgjegjësi në këtë Qeveri që sekretet e shtetit dhe të qytetarëve kanë dalë “lakuriq”?

Në kulmin e debatit për sulmet kibernetike në vendin tonë, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta  ka sjellë në vëmendje mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të zhvilluar para agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Në cilësinë e Presidentit, ai thotë se ka kërkuar të merren masa të forta për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe ka marrë garanci të plota se nuk do të kishte asnjë problem.

Po kështu edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mbledhur menjëherë pas agresionit kundër Ukrainës.

Ndaj Meta pyet: A mban njeri përgjegjësi në këtë Qeveri që sekretet e shtetit dhe të qytetarëve kanë dalë “lakuriq”?

E-mailet e ish drejtorit të përgjithshëm të policisë Gledis Nano, bashkë me hyrje daljet e tij në kufi, janë bërë publike sot nga grupi i hakerave që kreu sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Mes dokumenteve ndodhen edhe informacione të klasifikuara dhe raporte vëzhgimi të policisë për personin në kërkim Talo Çela që thuhet se është parë në Tiranë në 5 gusht 2021.