Financimi rus tek partitë politike shqiptare, Yuri Kim 120 minuta me Ballën dhe Alibeaj
Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj kanë zbuluar detaje të takimeve me ambasadoren amerikane në Kryesinë e Kuvendit. Kryetari i grupit socialist tregon se PS do të punojë me SHBA për të bërë ndryshimet e nevojshme për financimet politike që të frenojnë ndërhyrjen e Rusisë në fushatë zgjedhore. Ndërsa Alibeaj në reagimin e tij ka shprehur vetëm mirënjohjen e PD për mbështetjen e SHBA.
Dy orë i janë nevojitur ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, për t’i lënë porositë e nevojshme dy kryetarëve të grupeve parlametare, PS dhe PD.
70 minuta diplomatja amerikane ka qëndruar tetë a tetë në zyrën e socialistit Taulant Balla në kryesinë e Kuvendit për t’i parashtruar të gjitha shqetësimet e SHBA-së përkundrejt politikës në vend duke nisur me çështjen kryesore, financimet ruse në Shqipëri.
Balla: Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë.
Të njëjtat çështje, Yuri Kim i ka diskutuar edhe me demokratin, Enkelejd Alibeaj, po në të njëjtën godinë.
Por me kreun e grupit të PD-së, diplomatja amerikane ka patur në fokus edhe situatën në PD dhe problemet me figurën e Sali Berishës.
Alibeaj: Nisja e sezonit të ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe ishin në qendër të bisedës. Disa nga çështjet kryesore ishin përmirësimi i legjislacionit në fuqi, reforma administrative-territoriale dhe ecuria e Grupit Parlamentar të PD-së. E sigurova se PD i është mirënjohëse ShBA-ve që përgjatë gjithë historisë së re dhe të vjetër të vendit tonë, ka patur mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës!
Por ndryshe nga sa pretendonte dje Alibeaj që akuzat e ShBA për PD se ka marrë para të fshehta nga Rusia do të përgënjeshtroheshin, kjo deklaratë nuk ka ndodhur.
Madje ditën e djeshme Ambasada e ShBA në Tiranë ka ngritur alarmin, duke i cilësuar financimet ruse si minuese për demokracinë në vend.

