Alibeaj dhe Balla takime me Yuri Kim. Nga paraja ruse te ecuria e Grupit Parlamentar të PD-së, ja çfarë u diskutua
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla kanë zhvilluar takime ditën e sotme me ambasadoren e ShBA në Tiranë, Yuri Kim.
Gjatë takimit Alibeaj ka folur me Kim për përmirësimin e legjislacionit në fuqi, reformën administrative - territoriale dhe ecurinë e Grupit Parlamentar të PD-së.
Lajmin e bëri të ditur Alibej përmes një postimi në rrjetin e tij në Facebook.
“Nisja e sezonit të ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe ishin në qendër të bisedës. Disa nga çështjet kryesore ishin përmirësimi i legjislacionit në fuqi, reforma administrative - territoriale dhe ecuria e Grupit Parlamentar të PD-së.E falenderova zonjën Kim për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në përballjen me sulmin kibernetik të Iranit.”, shkruan Alibeja.
Sakaq Balla në postimin e tij në Facebook ku njofton lidhur me takimin e mbajtur me Kim thotë se “do të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë.”

