Cantona kritik i hapur i Kupës së Botës në Katar: Nuk ka kuptim, është marrëzi!

Eric Cantona, një nga njerëzit më kontroversë të futbollit. Talent i pastër por edhe një lojtar me karakter të fortë që shpesh herë i thotë me zë të lartë ato që mendon.

Ish-sulmuesi francez bën një deklaratë deri diku shokuese edhe në lidhje me Kupën e Botës 2022 që do të startojë pas rreth dy muajsh në Katar duke deklaruar se nuk do të ndjekë asnjë ndeshje, pavarësisht faktit se ky është një kompeticion që e dashuron.

“Le të jemi të ndershëm, kjo Kupë Bote nuk ka kuptim. Më keq akoma, është eveniment pa kuptim. Katari nuk është një vend futbolli, nuk ka shije. Të gjithë stadiumet do të jenë me sistem freskimi, çfarë çmendurie! Çfarë marrëzie! Çfarë budallallëku!

Ky është një gabim njerëzor ku kanë vdekur mijëra njerëz për të ndërtuar stadiume që do të dëfrejnë publikun për pak ditë. I gjithë kuptimi i këtij botërori, e dinë të gjithë që janë paratë. Nuk ka rëndësi nëse Franca humbet apo fiton pasi ka gjëra të tjera më të rëndësishme në jetë. Në vend të këtij botërori do të shikoj serialin Colombo”.