Rrëmbeu Paul Pogba, arrestohet nga policia vëllai i mesfushorit që tentoi ta zhvaste
Vëllai i Paul Pogba, Mathias, i cili kërcënoi mesfushorin me publikimin e informacioneve që do të trondisnin ambjentin, është arrestuar nga Policia Franceze. Saga në familjen Pogba nisi që në muajin mars kur mendohet se vëllai mori peng lojtarin duke i kërkuar bashkë me një grup shokësh rreth 13 milionë euro për ta liruar.
Ata e ndoqën Paul edhe në Torino ku shtatlarti francez bëri denoncimin për tentativë zhvatje nga ana e vëllait dhe bandës që vepronte në lagjen e tyre të vjetër ku u rritën. “Rrëmbim personi me qëllim zhvatjen” dhe “krijim i grupit të organizuar kriminal” janë akuzat që ka ngritur prokuria për vëllain Mathias dhe tre anëtarë të tjerë të bandës.
Me arrëstimin e vëllait, Paul Pogba mund të fokusohet tërësisht te karriera e tij që mbetet në një udhëkryq jo pak të komplikuar pas operacionit në gju që rrezikon Kupën e Botës por edhe pjesën më të madhe të sezonit me Juventusin.
