Prishtinë – Beograd, kornizë e re bisedimesh/ BE dhe SHBA kërkojnë të vendosin pikat mbi "i"
Vendet më të rëndësishme të Perëndimit kanë sjellë të dërguar special në Ballkan. Kosova dhe Bosnja janë në qendër të vëmendjes. Franca dhe Gjermania kanë sjellë dy të diplomatë të rinj të nivelit të lartë që duan përshpejtim të procesit të njohjes reciproke. Kurti ka cituar në vijimësi Shtëpinë e Bardhë se dialogu duhet të ketë në qendër njohjen, ndërsa Vuçiç e mohon kategorikisht njohjen e Kosovës.
Bashkimi Evropian dhe amerikanët e kanë marrë seriozisht punën për të përmbyllur një marrëveshje njohjeje reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit.
Pas të dërguarit special Lajçak, tandemi më i rëndësishëm në Evropë, Francë – Gjermani, kanë dërguar diplomatë të nivelit të lartë për të shkuar drejt një marrëveshjeje.
Jens Pletner dhe Emanuel Bonn do të mbërrinin në Prishtinë dhe në Beograd për të pasur takime të rëndësishme me shefat e qeverive përkatëse.
Ata kanë propozuar një kornizë tërësisht të re bisedimesh për të çuar përpara njohjen reciproke. Kurti ka qenë i qartë kur ka cituar në vijimësi se njohja reciproke në qendër të marrëveshjes është ajo që Prishtina kërkon. Por për Vuçiçin kjo është e papranueshme.
Nga foltorja e Kuvendit Vuçiç do të thoshte se nuk do ta njoh kurrë Kosovën.
Gjatë takimit në Beograd me Vuçiçin, edhe shefi i qeverisë turke Erdogan do të thoshte se ishte gati për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiç do ta sillte në vëmendje një fakt të këtillë duke thënë se fuqitë e mëdha perëndimore, BE dhe ShBA si edhe Turqia duan ta zgjidhin problemin në Kosovë, sepse ka luftë në Evropë, sepse Evropa duhet të mbrohet dhe se në përputhje me marrëveshjen e mundshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, do të ishte shumë më e lehtë që vendet evropiane t'i japin presidentit rus Vladimir Putin një përgjigje të qartë për çështjen e precedentit ligjor dhe dhënies së pavarësisë së Kosovës.
Situata aktuale në Ballkanin Perëndimor ka marrë vëmendje të madhe nga aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, ku Bosnja dhe Kosova janë në qendër të vëmendjes.
Amerikanët që kanë deklaruar me anë të Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë se njohja duhet të jetë në qendër të Dialogut, kanë caktuar të dërguar special, ambasadorin Gabriel Escobar. Bashkimi Evropian ka caktuar përfaqësuesin special, ambasadorin Miroslav Lajčák.
Gjermania ka caktuar përfaqësues special ish-deputetin Manuel Sarrazin dhe Mbretëria e Bashkuar ka caktuar si të dërguar special kryemarshallin Stuart Peach. Ndërkohë, këtë javë mbërritën edhe dy të tjerë të dërguar special, Jens Pletner dhe Emanuel Bonn.
