Dështon Samiti i Bërdo-Brionit, presidentët pa deklaratë të përbashkët, kunkluzione për heqjen e vizave për Kosovën

Presidentët e Ballkanit Perëndimor dështojnë në samitin e Bërdo-Brionit pasi nuk arritën të dalin me një deklaratë të përbashkët. Ata megjithatë dolën me disa konkluzione ndër të cilat dhe kërkesa për liberalizimin e vizave për Kosovën. Bashkimit Europian iu kërkua që të ndihmojë rajonin për krizën energjitike.

Samiti i Bërdo-Brionit i mbajtur këtë të hënë në Slloveni nuk arriti të dilte me një deklaratë të përbashkët të presidentëve të rajonit.

Megjithatë organizatorët u dhanë një dritë të gjelbër disa konkluzioneve, mes tyre, liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dhënia e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën.

Dy pritësit e Samitit,  presidentit slloven, Borut Pahor dhe ai kroat, Zoran Milanoviç, në konferencën e përbashkët për media përmenden edhe dialogun Kosovë-Serbi, për çka u kërkua që çështjet e hapura të zgjidhen në mirëbesim. Milanoviç e tha hapur se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.

 “Nuk e kemi diskutuar këtë çështje, pasi kjo do të ishte përtej pikës që nuk ka kthim. Por e mbështes njohjen e Kosovës, edhe pse aktualisht është jo reale nga Serbia për të njohur këtë shtet. Ky është mendimi i Vuçiçit dhe gjithë vendit”.

Ndërsa presidenti slloven Borut Pahor u shpreh më i rezervuar.

Dështon Samiti i Bërdo-Brionit, presidentët pa deklaratë

“Fatkeqësisht nuk ë kemi mundësi që të bëjmë miratimin e deklaratës edhe pse kemi bërë hartimin e saj, pasi kishte çështje që na kanë ndarë. Dialogu, Kosovë-Serbi është diskutuar, por askush nuk ka thënë diçka në këtë drejtim. Deri në këtë moment, kemi kërkuar që dy palët të vazhdojnë bisedimet  dhe të mundohen t’i zgjidhin çështjet e hapura”.

Dy presidentët kërkuan nga Bashkimi Evropian që të përshpejtojnë procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Samiti arriti vetëm 6 konkluzione, ndër të cilat zgjerimi i BE-së në rajon për një proces më të shpejtë të integrimit, dhënia e statusit të kandidatit për Bosnjë dhe Hercegovinën, liberalizimi i vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit dhe ndihma e BE ndaj rajonit në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike.