Samiti i Bërdo-Brionit/ Nisma kroato-sllovene synon bashkëpunimin ballkanik dhe integrimin

Pak javë pas samitit të Ballkanit të hapur në Beograd, ka nisur këtë të hënë samiti i Bërdo – Brionit, në Slloveni. Nisma mban firmën e kroatëve dhe sllovenëve dhe ka në fokus zgjidhjen e problemeve të Ballkanit perëndimor dhe integrimin e tij në BE. Liderët më të rëndësishëm të Ballkanit janë pjesëmarrës në këtë samit.

Ka nisur këtë të hënë samiti i Bërdo Brionit në Slloveni.

Samiti në Bërdo të Sllovenisë ka në fokus situatën në Ballkanin Perëndimor. Presidentit slloven, Borut Pahor, mikpritësi, ka njoftuar pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë ballkanik.

Presidenti shqiptar Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Gjukanoviçi nga Mali i Zi, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, Stevo Pendarovski i Maqedonisë, Zoran Millanoviç i Kroacisë si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq janë pjesëmarrës në këtë forum të rëndësishëm.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ashtu si edhe më herët, kroatët dhe sllovenët kanë përforcuar thirrjen e tyre për integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Ballkani perëndimor ka marrë vëmendje të madhe në muajt e fundit nga Evropa dhe Amerika. Pika më e dobët e tij vijon të mbetet Bosnja dhe tendenca separatiste e serbëve të Bosnjes.

Gjithashtu, fokus të veçantë, tashmë edhe me dy të dërguar special gjerman dhe francez, ka marrë edhe zgjidhja e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Më herët, në Beograd u zhvillua takimi i radhës i Ballkanit të hapur, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia.

Këtë radhë aty merrnin pjesë edhe ministri i jashtëm turk dhe ai hungarez, ndërsa kryeministri Rama ftoi italianët dhe grekët të bëhen pjesë e Ballkanit të hapur.