Deti/ Dendias: Do vijojmë të mbrojmë interesat tona. Me Shqipërinë në Hagë, Turqia refuzon Konventën

Ministri i Jashtëm Nikos Dendias theksoi se Greqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (Ne anglisht:  United Nations Convention on the Law of the Sea UNCLOS)

Gjatë fjalimit në Simpoziumin e 4-të për të Drejtën Ndërkombëtare ai theksoi rëndësinë e Konventës për Greqinë, si dhe refuzimin "kokëfortë" siç tha ai të Turqisë për të pranuar dhe zbatuar UNCLOS dhe solli rastin e Shqipërisë.

“Greqia ka shprehur vazhdimisht synimin dhe gatishmërinë e saj për të negociuar marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera fqinje në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Për këtë qëllim, ne kemi rënë dakord me Shqipërinë që t’i referohet përcaktimit të zonave detare të dy shteteve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në përputhje të plotë me dispozitat e UNCLOS”, ka thene Dendias shkruan Ekathimerini

Më tej, ai shtoi se “në këtë mënyrë vendi ynë ushtroi të drejtën e tij për të shtrirë ujërat e tij territoriale në 12 milje detare në zonën e detit Jon. Dhe rezervon të drejtën për ta ushtruar atë në pjesë të tjera të territorit të saj. Fatkeqësisht, Turqia është i vetmi vend në rajon që refuzon me kokëfortësi të pranojë atë që është e dukshme dhe të zbatojë UNCLOS”.

Gjatë fjalimit mbajtur të dielën Dendias tha se "Konventa njihet edhe si "Kushtetuta e Oqeaneve"  eshtë një kuadër rregullator gjithëpërfshirës që garanton stabilitet dhe ligjshmëri në aktivitetet e shteteve në det.

E drejta e detit 

"Për vendin tonë, UNCLOS ka qenë busulla, “Ungjilli i Shenjtë” i politikës sonë të jashtme. Më shumë se 165 vende e kanë ratifikuar tashmë atë. Madje edhe vendet që nuk e kanë bërë këtë, si SHBA-të, bëjnë thirrje për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të tij.

UNCLOS është pjesë e së drejtës zakonore. Në përputhje me rregullat e Konventës, vendi ynë ka ndërmarrë një sërë veprimesh të rëndësishme dhe të dobishme kombëtare gjatë viteve të fundit" tha Dendias duke shtuar se mbi bazën e kësaj është arritur në marrëveshjen e delimitimit detar me Italinë në qershor 2020 e në marrëveshjen e pjesshme të delimitimit të EEZ me Egjiptin në gusht 2020.

Ai u shpreh se shkelja nga Turqia e rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit përbën një burim tensioni dhe destabiliteti.

“Kërcënimi për të përdorur forcën nëse Greqia ushtron të drejtën e saj për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje detare; promovimi i teorisë së “Atdheut Blu”; dhe memorandumi i paligjshëm turko-libian, janë elementë të sjelljes së paligjshme të Turqisë” tha me tej ai.

Te dielen 11 shtator 2022 u mbajt Simpoziumi i 4-të për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikën Ndërkombëtare të Shoqërisë Helenike, të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare me temë "40 vjet që nga Konventa e Montego Bay të vitit 1982 mbi të drejtën e detit"