Kuvendi maqedonas rrëzon opozitën/ Xhaferi e quan antikushtetues referendumin e VMRO-DPMNE

Kuvendi maqedonas ka rrëzuar nismën e opozitës maqedonase, e cila mblodhi nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e referendumit për zhbërjen e marrëveshjes me Bullgarinë. Sipas VMRO vendimi i Talat Xhaferit është nul dhe se rregullimet ligjore i përcakton Kushtetuesja.

Partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut nuk është pajtuar me konstatimin e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi i cili e quajti referendumin e së djathtës si antikushtetues.

Të martën kryeparlamentari nga radhët e BDI-së hodhi poshtë nismën e opozitës për referendumin i cili kërkonte ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas Xhaferit iniciativa nuk është në përputhje me Kushtetutën maqedonase.

Por VMRO-DPMNE tha se nisma e saj është në harmoni me nenin e 25 të Ligjit për Referendumet dhe se Kuvendi nuk ka arsye ta refuzojë, ndërsa LSDM-ja në pushtet e mbështeti vendimin e Xhaferit duke e quajtur referendumin si antikushtetues.

Por opozita insiston se kushtetutshmërinë e saj e vlerëson vetëm Gjykata Kushtetuese.

Sipas së djathtës, vendimi për mos mbajtjen e referendumit do t’i përshkallëzojë përçarjet në Kuvend.

VMRO-DPMNE më 9 shtator dorëzoi në Kuvend iniciativën për mbajtjen e referendumit pas grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për dorëzimin e tij, ndërsa më herët më 5 shtator Komiteti Ekzekutiv i partisë miratoi edhe pyetjen e referendumit për heqjen e vlefshmërisë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

Mickoski e mbështet integrimin në BE, por nuk përkrah atë që ai e quan asimilim dhe deformim të identitetit maqedonas.

Marrëveshja e fqinjësisë së mirë në vitin 2017 me Bullgarinë, sipas kreut të opozitës është burimi i të gjitha problemeve për vendin.