Pakti Micotaqis-Macron irriton Turqinë, Ankaraja: Dyfytyrësi!
Turqia ka reaguar me zemërim ndaj paktit Greqi-Francë e cila ka për qëllim të shmangë tensionet në Mesdhe. Ankaraja e ka quajtur marrëveshjen një dyfytyrësi nga shteti helen i cili i rrit më tej tensionet me Turqinë.
Marrëveshja e kryeministrit grek Qirjakos Micotaqis me presidentin e Francës Emmanuel Macron në Paris duket se ka irrituar Ankaranë zyrtare të cilët e kanë quajtur dyfytyrësi kompromisin e palës helene me atë franceze.
Të martën, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar ka hedhur akuza të rënda ndaj Athinës se po shpif kundër Turqisë te palët e treta siç është Franca.
"Greqia po përpiqet që të njollosë imazhin e Turqisë duke shtrembëruar çdo fakt dhe duke ndikuar te palët e treta me gënjeshtra dhe shpifje. Ka një politikë dyfytyrëshe dhe hipokrite ndërsa ne këmbëngulim në dialog," tha ai.
Kryeministri helen dhe presidenti Macron firmosën të hënën një marrëveshje partneriteti strategjik Greqi-Francë si një mburojë kundër kërcënimeve të Turqisë.
Sipas presidentit Macron ky partneritet strategjik nuk do të lejojë asnjë trazirë në Mesdheun Lindor.
Ministri turk tha se marrëveshja me Francën dhe retorika që ka përdorur Greqia i rrit tensionet mes dy vendeve.
"Ne jemi shumë të duruar. Por pavarësisht përpjekjeve tona me qëllime të mira, fatkeqësisht fqinji ynë, Greqia me disa veprime dhe deklarata provokuese vazhdon të rrisë tensionet dhe ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka për ta parandaluar atë," tha ministri turk.
Hulusi Akar përsëriti se forcat ajrore turke kanë planifikuar stërvitje dhe aktivitete kombëtare në Egje dhe Mesdheun Lindor të cilat konvenojnë edhe me stërvitjet e NATO-s.
Sipas ministrit turk të Mbrojtjes, shigjetimi që i bëhet këtyre stërvitjeve nga ana e kryeministrit Micotaqis janë akte armiqësore.