Gruevski përballet me 12 vjet e gjysmë burg dhe një kërkesë tjetër për ekstradim
Për Nikolla Gruevskin, ish-kryeministrin maqedonas që iku në Budapest dhe mori azil politik nga Hungaria, do të kërkohet sërish ekstradimi.
Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut njoftoi sot se është duke ndjekur procedurat gjyqësore dhe se do të kërkojë edhe një herë që Gruevski të sillet në atdhe ku përballet me tre dënime me burg, dy të formës së prerë dhe një të shkallës së parë, por edhe procedura gjyqësore në vazhdim.
Ish-kryeministri u dënua ligjërisht me një vit e gjysmë burg për çështjen “Dhuna në Qendër”, 2 vjet burg për “Tankun” për blerjen e Mercedesit luksoz qeveritar dhe në shkallë të parë u dënua me 9. vite burg për çështjen “TNT” për prishjen e Cosmos.
Ndaj tij po zhvillohet procedimi për çështjet “Titanik”, “Talir” 1 dhe “Talir 2”, ndërsa çështja “Trajectoria” ka skaduar.
“Deri më tani për Nikolla Gruevskin është dërguar një kërkesë për ekstradim nga nëntori 2018 dhe një shtesë në kërkesën për ekstradim nga qershori 2019. Është kërkuar ekstradim për të gjitha rastet për të cilat kemi ditur se janë duke u zhvilluar procedura para organeve të drejtësisë maqedonase, përkatësisht për të gjitha procedurat për të cilat është lëshuar urdhër.
Hungaria ka refuzuar kërkesën për ekstradim më 05.08.2019 me arsyetimin se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil dhe sipas ligjit të tyre personi nuk mund të dorëzohet në shtetin nga i cili ka ikur. Situata me të gjitha proceset gjyqësore po monitorohet me kujdes dhe Ministria e Drejtësisë do të veprojë dhe do të paraqesë kërkesë të re për ekstradim”, njofton Ministria e Drejtësisë.
Gruevski së fundi regjistroi një kompani në Budapest. I.C.I.C. (I.C.I.C.) quhet kompania e Gruevskit e regjistruar në qytetin e vogël Pecel, rreth njëzet kilometra larg Budapestit të Hungarisë.
Kompania është e regjistruar me një aktivitet të gjerë biznesi në të paktën 10 sektorë të ndryshëm.
Gruevski vendosi të shënojë adresën e avokatit të tij në Budapest në regjistrimin e kompanisë.
Për arratisjen e Gruevskit deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi, e as nuk është hapur hetim ndaj dikujt.

