Kamberi përplaset me Vuçiçin për Kosovën
Përfaqësuesi shqiptar në parlamentin serb Shaip Kamberi i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë pas deklaratës së këtij të fundit për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
Ai shprehet se Kosova është shtet i pavarur. Sipas tij serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se Kosova është shtet i pavarur, teksa në organin ligjvënës presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, prezantoi raportin për dialogun politik me Kosovën.
“Çfarëdo që dëshironit arrini atje, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale dhe kushdo që është në pushtet atje, Serbia nuk ka ndikim. Serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta. Vuçiç ka përgjegjësinë më të madhe që tju tregojë qytetarëve serb të vërtetën.” tha Kamberi.
Deputeti Kamberi tha se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë është një ndër sfidat më të vështira dhe se është obligim i Vuçiçit që ta udhëheqë Serbinë drejt zgjidhjeve që krijojnë perspektivë evropiane.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Kamberit, Vuçiç tha se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se serbët në veri të Kosovës nuk kanë status të njëjtë me shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë.
“Ju po e paraqisni situatën sikur Kosova është shtet i pavarur, se nuk ka asgjë të diskutueshme, por se bëhet fjalë vetëm për një marrëveshje dypalëshe që vendos barazi dhe identitet të të drejtave të serbëve dhe shqiptarëve në dy shtete të pavarura. Por, çështja nuk është kështu”, tha Vuçiç.

