S’ka marrëveshje me Kurtin, vazhdon bojkoti i arsimtarëve nëpër shkolla, kopshte dhe çerdhe
Në takimin mes kryeministrit Kurti dhe Këshillit Grevist nuk është shënuar asnjë marrëveshje e cila do t’i jepte fund grevës 20-ditore në arsim. Sindikalistët kundërshtojnë edhe pakon anti-krizë të qeverisë për të cilën thonë se është e pamjaftueshme.
Këshilli i grevistëve të bashkimit të sindikatave në Kosovë nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me Qeverinë për t’i dhënë fund grevave të nisura që prej fundit të muajit gusht.
Kështu ka bërë me dije kreu i sindikalistëve, Rrahman Jasharaj.
Që prej 25 gushtit, mësuesit, edukatorët e kopshteve publike, punëtorët e administratës publike dhe punonjësit civilë në pushtetin lokal dhe qendror janë në grevë.
Ata kërkojnë ndarjen e 100 eurove për punëtorët derisa të hyjë në fuqi projektligji për rritjen e pagave.
Ndërsa qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga Albin Kurti zotohet se projektligji do të dalë së shpejti.
Të martën, Jasharaj u takua me kryeministrin Kurti dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe atë të Financave Hekuran Murati.
Jasharaj pas takimit është shprehur se Qeveria ka buxhet të mjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e tyre.
Më 3 shtator, Qeveria prezantoi një pako për përballje me inflacionin, sipas së cilës punëtorët e sektorit publik do të merrnin nga 50 euro prej muajit shtator.
Megjithatë kreu i Këshillit të Grevistëve e quajti takimin e së martës si nisjen e procesit të dialogut mes sindikalistëve dhe qeverisë.